Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski e uroi presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Urime për Vjosa Osmanin, presidenten e re të Republikës së Kosovës. Besoj se bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të vazhdojë me një intensitet edhe më të fuqishëm, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve miqësore”, shkroi presidenti në profilin e tij në Tuiter.

Mandatin pesë vjeçar në krye të vendit, Osmani e mori nga Kuvendi i Kosovës të dielën (4 prill). Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani sot edhe zyrtarisht e mori detyrën nga ushtruesi i deritanishëm i këtij funksioni, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, informoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.