Qyteti i Tetovës është vërshuar nga numër i madh i kazinove. Ndonëse nuk ka shifra të sakta se sa kazino ka vetëm në qytetin e Tetovës, megjithatë dyshohet se janë rreth 50 që janë funksionale, shkruan gazeta KOHA. Krahas kësaj, vizitorët e tyre janë të moshave të ndryshme, të cilët lënë para të majme të siguruara me shumë mund. Pasojat nga kjo, janë tragjike, thonë sociologët.

“Kyç është papunësia dhe paperpsektiva, për arsye se njerëzit që janë të papunë, të cilët nuk kanë ambicie që të vijnë deri tek rregullimi i jetës së tyre në aspektin material të ekzistencës, njerëz të cilët nuk kanë shpresë se do të ndryshojë diçka në jetën e tyre, me intensitet më të shpejtë, ata zakonisht joshen nga provokime, oferta, reklama të tyre, duke menduar se brenda natës do të pasurohen. Kjo, shpesh herë, përfundon me një dramë në familje si pasojë e frekuentimit të tyre, pra këta persona kanë probleme edhe me prindërit, fëmijët e kështu me radhë, ata hyjnë në hipoteka, marrin kredi, shesin stoli dhe përfundimi I tyre është tragjik”, thotë për KOHA, Sunaj Rahimi, sociolog.

Ai nënvizon se kjo është pasojë e dëshirave që të pasurohen brenda natës. Psikologët thonë se sa i përket aspektit psikologjik lojërat e fatit hyjnë në pasion, domethënë janë disa emocione aq të fuqishme që e bëjnë personalitetin e këtij individi qoftë i ri apo pak më i rritur të lidhet psikikisht emocionalisht, aq fort me atë lojë dhe në atë moment ai të mos e ketë atë nevojën për të fituar por thjesht të jetë pjesë e lojës.

“Në momentin kur ai është duke luajtur, në momentin kur ndodhet në bastore ose në kazino, ai thjesht atëherë jeton, atëherë ai është vetvetja. Fatkeqësisht nuk se si ta definoj këtë, është ves apo sëmundje, kjo çështje ende është në diskutim e sipër, por sidoqoftë pasojat janë negative. Pra, është një emocion aq i fuqishëm që komplet e nxjerr prej kontrollit personalitetin e një individi, arrihet ajo kënaqësia maksimale aq sa këtë lloj të kënaqësisë, ai nuk ka mundësi që ta arrijë me ndonjë aktivitet tjetër. Fatkeqësisht, e them se ky lloj pasioni nuk njeh moshë, domethënë është e kapluar edhe rinia, e them këtë fatkeqësisht, por edhe moshat më të rritura. Tani unë them se më shumë më dhemb ajo që edhe të rinjtë janë të inkuadruar në këto lojëra të fatit, duke pasur parasysh faktin që ngado që rrotullohesh, në çdo hap i ke lojërat e fatit, i ke bastoret dhe tani sa mund që t’i fajësojmë ne të rinjtë”, thotë Nora Kasa, psikologe.

Në ndërkohë, nga policia e Tetovës kanë dalë me një apel ku nënvizohet se frekuentues të këtyre bastoreve janë edhe të mitur. “Disa vite më parë, në rajonin më të gjerë të Pollogut, veçanërisht në Tetovë dhe Gostivar, është rritur shumë numri i bastoreve sportive dhe kazinove, në të cilat çdo ditë dhe veçanërisht gjatë vikendit, qëndrojnë gjithnjë e më shumë persona, të cilët janë jashtëzakonisht të dhënë, gjegjësisht të varur pas lojërave të fatit dhe në bastoret sportive mbushin dhe paguajnë tiketa me kombinime nga më të ndryshimet. Në mesin e atyre të cilët i vizitojnë këto objekte, parasegjithash bastoret sportive, shpesh për fat të keq mund të vërehen edhe të mitur, edhe pse ata në asnjë mënyrë nuk mundet dhe nuk guxojnë që të marrin pjesë në lojërat e fatit, në pajtueshmëri me Ligjin e lojërave të fatit dhe lojërave zbavitëse. Duke rishikuar edhe një herë situatat aktuale të bastoreve sportive në rajon, Sektori për punë të brendshme në Tetovë, edhe njëherë rikujton prindërit dhe fëmijët e tyre minoren, që të përmbahen nga vizitat në bastore sportive, ndërsa bastoret sportive, gjegjësisht organizatorët e lojërave të fatit, të parandalojnë pjesëmarrjen e tyre në këto lojëra”, thuhet në apelin e Policisë së Tetovës.

Nga Policia njoftojnë se e njëjta gjë vlen edhe për kazino dhe klubet e lojërave të fatit që funksionojnë me aparate të ndryshme. “Përderisa e injorojnë, gjegjësisht neglizhojnë dhe praktikisht nuk veprojnë sipas ligjit të paraparë, ata do të përballen me padi adekuate. Padi dhe gjoba do të pasojnë edhe për ata të cilët organizojnë lojëra të fatit pa licencë, gjegjësisht leje nga organet kompetente. Sipas ligjit, për të cilin bëhet fjalë, për kryerësit e kësaj vepre penale për persona fizik është paraparë dënim me burg në më pak se 3 vjet dhe gjobë në të holla nga 600 mijë denarë deri në 1 milionë e 200 mijë denarë. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, këtë vit planifikon që të realizojë aktivitete të shumta preventive, më shumë nga karakteri informative dhe edukativ, në koordinim me shkollat, komunitetet urbane dhe ato lokale, në kuadër të të cilave aktivitete të miturit, gjegjësisht prindërit e tyre, më për së afërmi do të njihen me implikimet ligjore nga vizitat në bastore sportive ose kazino si dhe me pjesëmarrjen e tyre në lojëra të ndryshme të fatit ”, thonë nga Policia e Tetovës. Ndryshe, të mërkurën në Tetovë, në një kazino ka vdekur si pasojë e infarktit një tetovarë 50 vjeçar. Edhe sociologët edhe psikologët ,thonë se kjo dukuri duhet të luftohet në të gjitha mënyrat që qytetarët të shmangen nga të njëjtat sepse pasojat janë të mëdha.