Pas 9 viteve në sirtar lënda vihet në përmbarim, dhe për një muaj rresht para votimit të ligjit të ri për përmbarim të dëmtuarës i vijnë dhjetëra urdhëra për përmbarim mbi pronën e saj të paluajtshme dhe të luajtshme për një borxh të trashëguar. Këto janë disa nga akuzat që pala e dëmtuar e cila iu drejtua TV21 pretendon se përmbaruesja Angjellka Efkoska ka ndërmarrë në lëndën kundër saj. Edhe pse dëshiron që identiteti i saj të mbetet anonim në redaksinë tonë dërgoi letrën e njëjtë që ia ka dërguar edhe përmbarueses e për të cilën thotë se ende nuk ka marrë përgjigje.

“Në vërtetimin e datës 07.07.2023, të dorëzuar një muaj pas përgatitjes së tij, nuk janë të shënuara të gjitha veprimet ekzekutive individualisht, siç kërkohet nga neni 6 i Tarifës për shpërblimin dhe kompensimin e shpenzimeve të tjera të punës së përmbaruesve. Konsiderojmë se veprimet që keni ndërmarrë janë në kundërshtim me parimin e kursimit të procedurës, për të realizuar të ardhura shtesë për veten tuaj, duke ndërmarrë veprime dhe tarifimin për to”, thuhet në letrën e të dëmtuarës.

E dëmtuara pretendon se përmbaruesja, nuk ka pasur të drejtë të vendos urdhër për përmbarim mbi shtëpinë dhe veturën e saj , sepse borxhi kryesor bashkë me kamatën nuk arrijnë shumën prej 5000 eurove. Të njëjtën e thotë edhe Marijan Ristevski aktivist për ndryshimin e punës së përmbaruesve. Ai thotë se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi për këtë lëndë si dhe mijëra tjera të ngjashme.

“Kjo që po ndodh nga ana e disa përmbaruesve të caktuar po i tejkalon kufijtë. Të vetëdijshëm se është sjell ligj për vjetërsimin e lëndëve dhe për pjesën e kamatës që duhet të ndalet në momentin kur e arrin borxhin kryesor duhet të ndalet, përmbarues të caktuar keqpërdorin dhe një javë apo dy para sjelljes së ligjit kryenin presion të tmerrshëm mbi qytetarët dhe kemi shembull ku për borxh 200 euro qytetari ka paguar madje 4000 mijë euro”, tha Marijan Ristevski – aktivist për Ndryshimin e Punën së Përmbaruesve.

TV21 dy herë në periudha të ndryshme kërkoi qëndrim nga vetë përmbaruesja Angjellka Efkoska por në të dyja rastet nga zyra e saj na thanë se ajo është në pushim, ndërsa sa i përket lëndës thanë se palët kanë të drejtë të ankohen.
Për veprimet e përmbarueses kërkuam qëndrim edhe nga Oda e Përmbaruesve nga ku na thanë se:

“Oda e Përmbaruesve nuk ka bazë të vlerësojë punën e përmbaruesve nga aspekti i ligjshmërisë në sjelljen gjatë zbatimit të përmbarimit, performancën materiale të përmbaruesit apo në mosndërmarrjen e një veprimi të caktuar juridik”, thonë na Oda e Përmbaruesve.

Kujtojmë se në korrik u soll ligji i ri për përmbarim me fuqi retroaktive të cilin Ristevski thotë se përmbaruesit e kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese për çka ai paralajmëron edhe protesta me qëllim që Gjykata të mos sjell vendim të favor të përmbaruesve.

Përndryshe, gjatë viti të kaluar, 99 përmbarues kanë realizuar fitim të përbashkët prej gati 3,4 milionë euro, prej të cilëve 5 të parët kanë realizuar mbi 100 mijë euro në vit individualisht.