Për herë të parë, YouTube zbulon sa fiton nga reklamat

Të ardhurat e YouTube nga reklamat përgjatë 2019-s tejkaluan 1 miliardë dollarë në muaj. Shifrat i publikoi vetë kompania të hënën. Kjo është hera e parë që platforma bën të ditur sa fitimprurëse janë reklamat.

Edhe pse mund të duken si shumë para, investitorët ishin të pakënaqur dhe shitën aksionet e tyre të Alphabet, kompanisë mëmë të YouTube dhe Google, kur u njoftua se të ardhurat e tremujorit të kaluar ishin nën parashikime. Vlera e aksioneve ra me 4%.

Sundar Pichai, CEO i Alphabet, pasi u ngrit në detyrë si pasojë e largimit të themeluesve Sergey Brin dhe Lary Page, premtoi më shumë transparencë.

Gjatë tremujorit të parë të Pichai në krye të Alphabet, ai zbuloi se në 2019-n, YouTube kishte të ardhura me vlerë 15.15 miliardë dollarë. Këto vlera nuk përfshijnë të ardhurat nga abonimet për YouTube TV, që llogariten në një tjetër segment.

Të ardhurat e përgjithshme u llogaritën në 46 miliardë dollarë, 94 milionë dollarë më pak nga ç’parashikuan analistët.

SHPËRNDAJE