Ka përfunduar takimi i sotëm i liderëve politik, të organizuar nga kryeministri teknik Oliver Spasovski.

Në takim kanë marrë pjesë Hristijan Mickoski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti, Bilall Kasami, Ziadin Sela, Menduh Thaçi dhe Afrim Gashi, ndërsa është biseduar rreth situatës së krijuar pas përhapjes së coronavirusit në vend.

Pas përfundimit të takimit, liderët thanë se kanë vendosur që deri më 24 mars të anulohen të gjitha tubimet publike të partive. Liderët theksuan se në takim nuk është diskutuar për shtyrje të zgjedhjeve, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ata thanë se deri në nisjen zyrtare të fushatës parazgjedhore, mesazhin e tyre tek qytetarët do ta përçojnë përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit.

Të gjithë liderët pas përfundimit të takimit, thanë se nuk ka vend për panik tek qytetarët, duke shtuar se situata është nën kontroll.