Në Kalishtë të Strugës u formua një liqen artificial krah atij të Ohrit. Për shkak të shiut dhe shkrirjes së përnjëhershme të borës janë përmbytur 100 hektarë tokë bujqësore. Banorët thonë se shkaku më i madh për këtë nuk është shkrirja e përnjëhershme e borës, sa mos pastrimi i kanaleve nga autoritetet.
Uji nga kanali i stërmbushur që vjen nga fshati Radolishtë deri në Kalishtë derdhet direkt në fushë e cila e tëra është nën ujë. Sipas banorëve, ky kanal nuk është pastruar më shumë se dhjetë vite”.

Ekziston rreziku edhe i përmbytjes së rrugës dhe me këtë tërësisht shkëputet rajoni. Uji nga kanali tashmë ka filluar të dalë edhe në rrugë.

Banorët kërkojnë që autoritetet lokale të Strugës dhe shteti të fillojnë pastrimin e kanaleve në Strugë. Ata kanë frikë se me reshjet pranverore të shiut situata edhe më tej mund të përkeqësohet dhe të ketë përmbytje më të mëdha.