Deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët dyshohen të kenë hapur dyert e Kuvendit më 27 prill, vazhdojnë të lëvizin lirshëm. Burime anonime nga grupi hetues pranë Prokurorisë për krim të organizuar bëjnë të ditur se deputetët që dyshohen për hapjen e dyerve dhe për orientimin e turmës edhe këtë javë nuk do të thirrën në Prokurori. Organi akuzës nuk jep informacione se kush tjetër përveç policëve dhe gazetarëve deri më tani është thirrur për dëshmi.

Dy protagonistët që dyshohen për hapjen e portave të Kuvendit, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski sot u paraqitën në seancë parlamentare. Ndonëse nuk morën fjalën për të komentuar pikën e rendit të ditës, deputetët e shumicës parlamentare kërkuan dorëheqjen e tyre.

T’i debatojmë gjërat ashtu siç janë dhe jo ashtu siç dëshironi t’i shisni para publikut. Jepni dorëheqje ju që i hapët dyert. Jepni dorëheqje ju që dyshoheni nga PSP dhe pastaj flasim për politikë- tha Petre Shilegov, LSDM.

Incizimet nga kamerat e sigurisë shfaqin deputetin e VMRO-së Ilija Dimovski duke bërë sehir në kohën kur kolegët e tij hapin dyert. Dimovski sot nuk deshi të komentojë përse nuk i parandaloi kolegët e tij.

Referuar incizimeve nga kamerat e sigurisë, turma e dhunshme në Kuvend më 27 prill është futur pas hapjes së portave të nga Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski. Më pas drejtë sallës së konferencave për shtyp janë orientuar nga Johan Tarçullovski, Ljuben Arnaudov dhe Lupço Dimovski. Aktet e tyre me përqafime i ka përshëndetur deputetja tjetër Zhaklina Peshevska. Deri më 31 maj Prokuroria Publike nuk kishte proceduar asnjë padi ndaj deputetëve të dyshuar. Nga muaji qershor, lënda kaloi në duart e Prokurorisë për krim të organizuar e cila në bazë të raportit të Kontrollit të Brendshëm pranë MPB-së dhe dëshmive materiale të siguruara ka nisur procedurë para-hetimore. Nga ky organ ditë më parë njoftuan qartë se të gjithë do të thirren për dëshmi. Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, Prokuroria Publike ngriti 9 akuza për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale. Të akuzuarit u dënuan me kusht. Ndërkohë në procedim e sipër janë dy akuza për tentim vrasje ndaj deputetit Zijadin Sela.

Adrian Kerimi