Personat me të ardhura të ulëta, edhe këtë vit nuk do të kenë nevojë të regjistrohen në Fondin për Sigurim Shëndetësor për të drejtën e sigurimit shëndetësor.

Fondi bën të ditur se këta persona që sigurojnë më pak të ardhura se 144 mijë denarë në vit, do të regjistrohen me automatizëm.

Regjistrim me automatizëm do të marrin edhe personat që kanë të ardhura ndërmjet 144 mijë dhe 204 mijë denarëve, por që në dy muajt e fundit kanë siguruar të ardhura prej më pak se 24 mijë denarësh.

Dy kategoritë tjera që përfitojnë janë ata që paguajnë 50% ose 100% të kontributeve shëndetësore nga rroga mesatare, nëse janë në kuadër të kufizimit prej 144 mijë deri më 204 mijë denarësh.

Të siguruarve që do t’u vazhdojë sigurimi shëndetësor në mënyrë automatike, nuk do të pranojnë vendime të reja përmjet postës.

Personat të cilët nuk e kanë realizuar këtë të drejtë, respektivisht nuk ekzistojnë në bazën e Fondit për sigurim shëndetësor, duhet të shkojnë dhe të aplikojnë në sportelet e Njësive rajonale të Fondit.

Nëse vërtetohet se dikush merr më shumë të ardhura dhe nuk i raporton, por shfrytëzon lehtësimet e Fondit, atëherë Fondi do t’ia ndërpresë sigurimin shëndetësor, përveç ndihmës së shpejtë mjekësore.

Personat të cilët gjatë muajit janar 2018 për së pari herë kanë aplikuar për sigurim shëndetësor, do të duhet të shkojnë sërish në sportelet e njësive rajonale të fondit për të dhënë deklaratë, në pajtueshmëri me limitet e reja ligjore. Numri i personave që kanë aplikuar për së pari herë në muajin janar 2018 është 3.953.

Edhe personat që kanë ndryshime në të ardhurat e realizuara neto, prej datës 1 shkurt deri më 31 mars të këtij viti, do të duhet t’i sjellin dokumentet në Njësitë rajonale të Fondit për ta bërë regjistrimin e sërishëm.

Të gjitha informatat e nevojshme lexoni në ueb faqen zyrtare të Fondit te pjesa: Personat që realizojnë të hyra të ulëta.