As petullat për vajzën e porsalindur të ministrit të financave Dragan Tevdovski nuk i zbutën deputetët. Me stilin e njohur dhe me debate të ashpra filloi debati në komision për propozim buxhetin për vitin 2018. Deputetët e opozitës e akuzuan pushtetin se edhe pse kanë buxhet më të madh në histori, ai nuk është zhvillimor, nuk ka investime të reja kapitale por vetëm vazhdim i investimeve të vjetra të trashëguara dhe akuzuan se ky buxhet nuk prodhon rritje ekonomike.

“Nuk ka ndërtim të akseve të reja, nuk ka kyçje në qytete, nuk ka unaza, asgjë të re, vetëm mjetet që janë siguruar, vazhdon projekti i gazifikimit”, tha Liljana Kuzmanovska, VMRO-DPMNE.

Bëhen përpjekje për të stabilizuar gjendjen, të qëndrojmë me këmbë në tokë. Të frenojmë rënien që na ndjek me vite. Para së gjithash për shkak të shpenzimeve të palogjikshme të parave tona”, u shpreh Vasko Kovaçevski, LSDM.

Nga opozita e pyetën ministrin e financave cilat janë planet për të hyrat dhe dalat dhe a do rritet deficiti buxhetor dhe borxhi publik.

“Nevojat e përgjithshme për financim për vitin 2018 janë 40.9 miliardë denarë. këto nevoja do të sigurohen përmes huamarrjeve jashtë vendit dhe në tregun vendor të letrave me vlerë”, deklaroi Dragan tevdovski, ministër i financave.

Buxheti për vitin e ardhshëm peshon 3. 44 miliardë euro. 3.14 miliardë janë planifikuar të hyra, ndërsa të dalat 3.43. Deficiti është projektuar në 300 milionë euro, ose 2.7% nga PBV-ja. Inflacioni pritet të jetë 1.7 për qind.