Nga viti në vit, BDI në platformat e saj parazgjedhore ka përsëritur projektet e njëjta duke premtuar investime kapitale me qindra miliona euro nga 2 miliard euro gjithsej sa ishin paraparë vetëm në platformën e vitit 2014. Në mesin e premtimeve të tilla, nga platforma të cilën BDI e ka fshehur, ndodhet edhe rruga Shkup-Bllacë, raporton SHENJA.

Autostrada Korridori 8 (Shkup-Bllacë; Shkup-Qafë Thanë). Projekti për ndërtimin e autostradës Gostivar-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8 ka përfunduar dhe këtë vit filloi ndërtimi i aksit rrugor Kërçovë – Strugë – Ohër (374 milionë euro), me kredi ndërkombëtare. Në qershor të vitit 2014 do të hapet ankandi për koncesion për pjesën Kërçovë – Gostivar (370 milionë euro) dhe Shkup – Bllacë (70 milionë euro), Trebenishtë – Strugë (45 milionë euro) me kredi, Strugë – Qafë -Thanë (50 milionë euro). Vlera e përgjithshme e investimit për këtë pjesë të autostradës së Korridorit 8 është rreth 900 milionë euro.

Gjithashtu në platformën e zgjedhjeve të kaluara BDI premtoi edhe dy rrugë të rëndësishme kombëtare që do të lidhnin Maqedoninë me Shqipërinë dhe Kosovën, si Rruga e Arbërit dhe rruga Tetovë-Prizren.

“Rruga e Arbërit. Do të bëhen lidhje e Rrugës së Arbërit me Korridorin 8 me dy akse rrugore. Aksi i parë, Burim – Dibër, me një vlerë prej 22 milionë euro nga Burimi deri në Urën e Boshkut, që së bashku me pjesën e përfunduar Ura e Boshkut – Dibër me vlerë 3 milionë euro, në total për këtë aks rrugor 25 milionë euro. Aksi i dytë, rikonstruimi i rrugës Mavrovë – Dibër në vlerë rreth  10 milionë euro.

  • Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën.

Me ndërtimin e rrugës Likovë-Gjilan BDI, sinë shumë cikle të mëparshme edhe në vitin 2014 premtoi hapjen e kufirit Bellanoc-Stançiç, bashkë me kufirin –Llojan Miratocë, të cilat as në këtë mandate nuk u hapën.

“Rrugë Likovë-Gjilan. Rrugë e re që lidh Likovë dhe Gjilan nëpërmjet vendkalimit kufitar Stançiq-Bellanoc.

  • Rrugë dhe vendkalime të reja kufitare. Rruga Llojane-Miratovc (Kumanovë-Preshevë)-e realizuar, Stançiq-Bellanoc (Likovë-Gjilan)- në ndërtim, Tanushë-Debëllde në ndërtim”

Por premtimet e BDI-së, në platformën që peshonte 2 miljard euro dhe përbëhej nga 400 faqe shkonin jo vetëm për toke, por përfshinë edhe hapsirën ajrore. Në këtë platform, BDI premtoi edhe menaxhim të përbashkët të hapësirës ajrore Maqedoni-Shqipëri-Kosovë. Një investim tjetër kapital dhe jetik për vendbanimet shqiptare, ishte ndërtimi i stacioneve filtruese dhe rrjeteve të ujësjellësit në Tetovë dhe Likovë. Edhe ky premtim ashtu si dhe projektet e lartëpërmendura janë vetëm një pjesë e projekteve të shumta të cilat nuk u realizuan mandatin e kaluar, ndërsa qytetarëve ju premtohen edhe në këtë fushatë.