Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov sërish refuzoi që ti jap mandatin për krijimin e qeverisë së re, liderit të opozitës Zoran Zaev duke theksuar se do qëndroj pranë këtij vendimi përderisa nuk largohen pengesat juridike dhe politike.

“Përderisa ato pengesa nuk largohen unë nuk mund të marr vendim i cili do të kontestohet. Nëse kontestohet një vendim i tillë, atëherë do të hapet çështja për përgjegjësinë time. Prandaj kërkoj dhe insistoj që pengesa juridike dhe politike të largohen”, tha Presidenti Ivanov.

I pyetur nëse ndjenë përgjegjësi për pasojat e krizës, sidomos në planin ekonomik,  Ivanov tha se ai i respekton Kushtetutën dhe praktikat e krijuara nga viti 1992.

“Unë e respektoj Kushtetutën dhe praktikën e krijuar që nga vitit 1992. Këtë ia kam thënë edhe të gjithë përfaqësuesve të partive kur ishin në konsultime. Duhet të respektohet ajo që është në Kushtetutë dhe afatet e parashikuara në Kushtetutë dhe precedenti i bërë në vitin  1992”, tha Ivanov sipas të cilit platforma e partive politike shqiptare, krizën politike në Maqedoni e shndërroi në krizë institucionale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni janë zhvilluar më 11 dhjetor të vitit 2016, por ende nuk ka të mandatuar për krijimin e qeverisë së re sepse Ivanov refuzon që ta mandatoj liderin e opozitës duke theksuar se marrëveshja për koalicionin me partitë shqiptare është e bazuar në platformën e hartuar në Tiranë, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama.

Kriza në Maqedoni është thelluar pasi që partitë shqiptare kanë refuzuar marrëveshjen e koalicionit të cilën e ofroi VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit duke u përcaktuar për aleancë me LSDM-n e Zoran Zaevit.