Mendohet për plotësim të setit të masave të tanishme që zbatohen për zvogëlimin  e ndotjes së ajrit,  por për momentin nuk ka informata të sakta për këtë, deklaroi sot zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski, duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Masat ndërhyrëse që i solli Qeveria, ndërsa të cilat  prej dje sërish janë në fuqi në Shkup, janë obliguese për të gjitha institucionet. Analiza dhe monitoringu i deritanishëm, ashtu siç tha Boshnjakovski, tregojnë se institucionet sillen në mënyrë të përgjegjshme në raport të zbatimit të masave.

“Këto janë masa ndërhyrëse të cilat e zbusin gjendjen momentale dhe ato nuk janë zgjidhje përfundimtare për problemin me ndotjen e ajrit. Zgjidhje përfundimtare është një proces më i gjerë dhe ekzistojnë masa edhe në plan afatmesëm dhe në plan afatgjatë. Nevojitet dukshëm më shumë kohë derisa të vijmë në fazën në të cilën do të kemi zgjidhje përfundimtare të problemit”, tha Boshnjakovski.

Për shkak të ndotjes së ajrit dhe plotësimit të kushteve për shpallje të pragut të alarmimit të grimcave  PM10  në Shkup dje u aktivizuan masat dhe rekomandimet urgjente. Gjatë dy ditëve të kaluara në Shkup në tre pikat e matjes në Rektorat, Lisiçe dhe në Gazi Babë vlerat e PM10 e kanë tejkaluar pragun prej 200 mikrogramë për metër kub në dy ditë njëra pas tjetrës.

Mes masave janë mosardhja në punë e grave shtatzëna, personave mbi 60 vjeç, si dhe personave me astmë kronike, me infarkt të pësuar miokardial ose goditje në tru, pa dallim të moshës, me rekomandim të mjekut amë.

Në fuqi është edhe  transporti publik falas në autobusët e NQP-së dhe në transportuesit privatë.  Janë ndërprerë të gjitha aktivitetet ndërtimore në kantieret e ndërtimit, që janë nën kompetencë të Qytetit. /TV21/