Abdulla Mehmeti

(Në ndërrimin e moteve, 2017-2018)

Viteve të fundit, për interesa të veta personale dhe interesa të pushtuesve të huaj, shumë individë, sidomos intelektualë dhe veprimtarë me ndikim, vardisen të imponojnë mendimet dhe bindjet e tyre në botën shqiptare, sidomos ndër shqiptarët e trojeve etnike që ende janë nën sundimet e huaja.

Për shqiptarët, asnjë popull tjetër nuk është dhe nuk duhet të trajtohet si armik dhe i lig, pushtues dhe zullumqar, por të tilla janë regjimet e tyre që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë qenien dhe interesin tonë kombëtar.

Të gjithë serbët, grekët, malazezët, turqit dhe pushtuesit tjerë përgjatë historisë, nuk kanë qenë armiq, të tillë nuk janë as sot, por armiq duhet t’i konsiderojmë regjimet e tyre, siç kanë qenë dje dhe disa janë edhe sot.

Për armiq tanë duhet t’i konsiderojmë edhe disa shqipfolës, pjesëtarë të Kolonës së pestë, ata me gjak të prishur dhe mercenarët, të cilët vazhdojnë t’u shërbejnë interesave të huaja, në politikë, ekonomi, kulturë, arsim, diplomaci dhe sidomos në institucionet fetare dhe të sigurimit të shtetit, të cilët zëshëm i kritikojnë formacionet e agjentuarave të huaja, jo për t’i luftuar ato pse e dëmtojnë çështjen tonë kombëtare, por për të krijuar hapësirë për pushtuesit dhe sunduesit e ri, për shtrirjen e ndikimit të agjentuarave për të cilat ata punojnë dhe paguhen për këto shërbime.

Për shqiptarët, nuk ka pushtues, sundues dhe akupator të mirë, as nga radhët e atyre që na sunduan deri dje, as nga ata që duan të na pushtojnë sot e në të ardhmen, përmes metodave më perfide, organizatave nga nëntoka e krimit, ideologjitë fetare dhe fondacionet me para të pista, me burim nga veprimtaritë kriminale.

Nuk ndihmohet kombi duke e luftuar pushtuesin e vjetër e duke e sjellë një pushtues tjetër të ri!

Nuk ndihmohet kombi, duke e kritikuar e luftuar regjimin e mëparshëm komunist, e duke sjellë në pushtet fëmijtë më bastardë të atij regjimi, të etshëm për dhunë e krime, për vjedhje të pasurisë së qytetarëve dhe shtetit, për shkatërrimin e qenies kombëtare, të gjithçka që është ndërtuar me mund dhe sakrifica deri më sot!

Nuk ndihmohet kombi duke e luftuar njëmendësinë ateiste të regjimit komunist, e duke sjellë në pushtet një klikë të re më antikombëtare, për përhapjen e ideologjive të reja fetare, pa kontroll nga shteti dhe institucionet për mbrojtjen e identitetit, historisë, gjuhës dhe kulturës kombëtare!

Nuk ndihmohet kombi me ndërtimin e qendrave fetare, shkollave dhe institucioneve të huaja kulturore, duke e dëmtuar vlerën tonë më të lartë qytetëruese – tolerancën ndërfetare të kultivuar ndër shekuj nga brezat më parë!

Nuk ndihmohet kombi duke goditur gjuhën e njësuar shqipe, standardin e gjuhës letrare, me mjete propaganduese dhe metoda politike, në kohën kur institucionet e shtetit janë të brishta, ndërsa institucionet shkencore, kompetente për mbrojtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare, janë të pafuqishme t’i mbrojë me sukses nga këto goditje, në mënyrë të denjë dhe efikase!

Nuk ndihmohet kombi duke zhvilluar luftë mes partive politike dhe grupacioneve, të cilat janë të interesuara vetëm për marrjen e pushtetit, jo edhe për zhvillimin e shtetit dhe progresin e kombit shqiptar!

Nuk zhvillohet kombi me fjalë, propagandë, ideologji të rejshme, parolla mediatike, me urrejtje, përçarje dhe ndasi, me vringëllimë shapatash e shkrepje armësh mbi njëri-tjetrin, nga vëllai mbi vëllanë!

Kombit shqiptar sot, këtu në Atdhe dhe kudo në botë, atje ku e kanë hedhur dallgët e jetës, i duhen udhëheqës të denjë të japin kontribut, që shkrijnë talentin dhe dijet e tyre, që fitojnë dhe investojnë për të mirën e kombit, që shkrijnë qenien dhe pasurinë e tyre për atdheun, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Çamërinë, Luginën e Preshevës, Sanxhakun, Malësinë e Madhe dhe viset tjera shqiptare, jo udhëheqës demagogë, kriminelë, hajdutë, për mohues të gjakur që shkelin bukën e mëmëdheut, tregtarë flamujsh dhe mercenarë që përvetësojnë, privatizojnë, vjedhin, kontabandojnë dhe shesin pasuritë e kombit dhe atdheut!

Është koha të leflektojmë dhe protestojmë të gjithë kundër kësaj katandisje, të bërtasim me zë deri në kupë të qiellit, që të dëgjojnë edhe të rënët ndër varre, me zërin e rizgjimit të ndërgjegjes tonë kombëtare dhe të VEPROJMË!

Atdheu ka burra që nuk do të lejojnë të katandiset kombi shqiptar!

(31.12.2017)