Për shkak të Super kupës së UEFA-së, të caktuar për nesër në stadiumin e futbollit “Arena Telekom” në Parkun e Qytetit në Shkup, prej sot do të vendoset regjim i posaçëm i qarkullimit dhe këmbësorëve për rrugët në afërsi të stadiumit.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se prej orës 08:00 e deri në përfundim të ndeshjes, gjegjësisht deri më 9 gusht në rajonin e udhëkryqeve të rrugëve “Aminta Treti” (ish “Leninova”) dhe “Jordan Haxhi Konstantinov-Xhinot” do të lëshohen persona dhe automjete të cilët kanë akreditim adekuat nga organizatori i meçit-UEFA.

Gjithashtu, në ditën e ndeshjes, në varshmëri nga intensiteti i qarkullimit, nuk përjashtohet mundësi e mbylljes për qarkullim edhe të bulevardit “Ilinden” në shtrirjen nga objekti i Qeverisë së RM-së e deri në udhëkryqin me rrugën “Ruzveltova”.

Per derbin e madh evropian ku luajnë Real Madridi dhe Manchester Unitedi do të kujdesen mbi dy mijë forca policore.

Lojtarët dhe stafi teknik i gjigantit evropian Manchester United do të vendosen sot (7 gusht) në hoteli TCC Grand Plazza në Shkup.

Policia dhe sigurimi i angazhuar nga hoteli që do të pres anglezët është angazhuar për të blinduar hotelin dhe ambientet përreth. Nga kjo nënkuptohet se lojtarët e Manchester United do të jenë të izoluar dhe me ta as nuk mund të bëhen fotografi selfie e as të merret ndonjë autograf.

Të parët në Shkup duhet të arrijnë lojtarët dhe stafi teknik i Manchester United, në ora 12:55.

40 minuta më vonë pritet të mbërrijnë lojtarët dhe stafi teknik i Real Madridit. Spanjollët duhet të akomodohen në Alexander Palace. Edhe vendqëndrimi i spanjollëve është i rrethuar nga forcat e siguris.