Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot u takua me nëpunësen policore Jasmina Janaçkovska, me qëllim që personalisht të informohet për incidentin e djeshëm.

Funksionari i BDI-së, Beqir Asani, dje e ka sulmuar nëpunësen policore, gjatë marrjes së automjetit të tij me automjetin special karrotrec.

Ajo, siç theksohet në kumtesën e MPB-së, është sulmuar verbalisht, derisa i ka kryer detyrat e saj të punës në udhëkryqin në bulevardin “Goce Delçev” dhe rrugën “Filipi i Dytë” në Shkup.

Gjatë marrjes së automjetit motorik “Lan Rover” me targa të Shkupit me automjetin special karrotrec, Janaçkovska ishte sulmuar verbalisht nga Asani, i cili është pronar i automjetit, shtohet në kumtesë.

“Gjatë kryerjes së kontrollit rutinor pashë disa automjete të cilat ishin parkuar në mënyrë të parregullt. Sipas procedurës, automjetet i fotografuam dhe filluam me marrjen e tyre. Në atë moment erdhi një person i panjohur për të cilin më vonë kuptova se bëhet fjalë për B.A. dhe filloi të bërtasë. Menjëherë, thirra përforcim dhe erdhën një numër i madh i nëpunësve policorë”, e informoi Janaçkovska, ministrin.

Në pyetjen e ministrit nëse ka pasur çfarëdo lloj kontakti fizik dhe pse nëpunësja policore ka kërkuar ndihmë mjekësore Janaçkovska, sqaroi se me personin B.A. ka pasur vetëm grindje verbale, megjithatë gjatë tërheqjes nga vendi i ngjarjes ajo e kishte goditur dorën e majtë tek karrotreci, por nuk ka marrë lëndime serioze, që është konstatuar edhe gjatë kontrollit mjekësore në SPQ “Shën Naumi i Ohrit”.

Ministri Spasovski i dha mirënjohje Janaçkovskës, për veprimin e saj profesional dhe theksoi se i inkurajon të gjithë nëpunësit policorë të veprojnë në mënyrë joselektive dhe profesionale, në pajtim me autorizimet e tyre ligjore.

“Nëpunësit policorë të cilët veprojnë në mënyrë profesionale, nga unë si ministër dhe nga tërë udhëheqësia e MPB-së do të kenë mbështetje të plotë. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Përfundoi koha kur disa ishin më ndryshe se të tjerët”, tha Oliver Spasovski.