Zv/kryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, përmes faqes së tij në facebook sot ka shpalosur emrat që do të përfaqësojnë BDI-në në eshalonin e tretë, me çka ai edhe ka përvetësuar si të veten këtë të arritur të BDI-së për të cilën kanë kontribuar shumë anëtarë dhe përfaqësues të saj.

Vendimi për emërimin e drejtorëve dhe zv/drejtorëve është i vonuar, edhe atë një vit e gjysmë, pasi të njëjtit nuk u emëruan menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, atëherë kur LSDM me urgjencë shpalosi kuadrot e saja.

Kjo vonesë e emërimit të drejtorëve nga BDI-ja, si duket do t’i kushtojë shumë kësaj partie pasi që veç ka nisur shprehja e pakënaqësive brenda-partiake dhe ka dal në pah një përçarje e degëve, veprim ky që mund t’i shkaktojë dëme të pariparueshme partisë së Ali Ahmetit.

Deri tek Redaksia e Medial.mk tashmë kanë arritur disa ankesa nga funksionarë të lartë të BDI-së, të cilët thonë se janë të pakënaqur nga këto emërime të njëanshme dhe të pakoordinuara me të gjitha degët e partisë, e në veçanti shprehen të mllefosur nga zv/kryeministri Lika, i cili para disa orësh në rrjetin social facebook, këto emërime i ka prezantuar si një e arritur kryekëput personale e tij dhe jo e subjektit që graviton, BDI-së.

Me emërimin e këtyre kuadrove, partia e Ahmetit ka përjashtuar nga loja shumë përfaqësues dhe anëtarë të BDI-së, të cilët vite me radhë kanë kontribuar në ngritjen e kësaj partie.

Shpalosjen e emrave të përfaqësuesve të BDI-së në eshalonin e tretë Lika e ka përmbyllur me këtë urim edhe pse kishte një gabim të vogël në drejtë shkrim:

“Drejorëve dhe zëvendës drejtorëve të rinj, iu urojmë suksese të shumta në punën e tyre!”/Medial