Në radhët e BDI-së janë shtuar zërat kundër rikonstruimit të Qeverisë, mëson INA nga burime qeveritare. Detektimi i planit për zgjedhje të parakohshme në fillim të 2019 në pako me ato presidenciale ka bërë që në momentet e fundit Ahmeti të frenojë planet e kryeministrit Zoran Zaev dhe të bllokojë rikonstruimin, nënvizojnë për INA burime të afërta me partitë në pushtet.

“Tashmë është e qartë se në qershor dhe në korrik nuk do të ketë asgjë sa i përket NATO dhe BE, për shkak se nuk ka përparim dhe nuk do të ketë rreth zgjidhjes së kontestit të emrit. Kjo situatë do të çoj në zgjedhje të reja, për shkak të qeverisjes së brishtë të Zaevit për nga numrat”, theksoi një zyrtar qeverie.

Gjatë orëve të fundit vetë kryeministri Zaev i është shmangur pyetjeve për zgjerimin e koalicionit, derisa para festave të fillimit të majit kishte theksuar se kjo çështje do të mbyllet menjëherë gjatë ditëve në vijim.

Siç mësohet nga burime të BDI-së, Ahmeti është për rikonstruim, por rryma të forta brenda partisë kanë kundërshtuar këtë, duke mbrojtur qëndrimet se përse ti jepen poste kryesisht Lëvizjes BESA, vetëm pak muaj para se të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Detektimi i zgjedhjeve të reja u bë në një takim që lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka pasur me disa gazetarë në një lokal të Shkupit.