Epidemia e virusit korona, sipas njohësve të çështjeve politike në botë, na lë të kuptojmë se na pret një krizë shumë herë më e thellë se sa ajo që pritej e dukej në fillim të krizës. Odat ekonomike në Maqedoninë e Veriut, kritikojnë Qeverinë për masat që ka paraparë për ta kaluar krizën ekonomike që e ka shkaktuar virusi korona. Ata thonë se masat për të kursyer kompanitë, dhe jo supozimet e përgjithshme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik është hap i gabuar i autoriteteve shtetërore

Epidemia e virusit korona, i cili është shfaqur në fillim të këtij viti në rajonin Wuhan të Kinës, brenda një kohe të shkurtër ka përfshirë të gjithë botën dhe e ka futur në një kolaps ekonomik, duke rrezikuar si ekonominë botërore ashtu edhe sigurinë e saj. COVID-19 ka detyruar gati të gjitha vendet e botës që të ri-shikojnë buxhetin e planifikuar për vitin 2020 si dhe të bëjnë recension financiar. Tani më ekonomitë e vendeve të botës së dytë dhe të tret janë tkurrur dukshëm dhe janë në ankth të hyrjes në një krizë të re ekonomike, e cila do të shkaktonte varfëri dhe papunësi për qytetarët e saj. Hyrja në një krizë ekonomike do të detyronte vende të shumta të botës që të hynë në borxhe, për të mundësuar tejkalimin sa më të lehtë të saj. Ndërkohë në anën tjetër, Maqedonia e Veriut, ka paraparë një ngritje ekonomike për katër për qind gjatë vitit të ardhshëm, gjë që për ekspertët financiar një gjë e tillë është e pa arritshme dhe e pa mundur në kohën deri sa bota po përballet me pandeminë e virusit korona.

Pandemia thellon kriza të tjeraSipas njohësve të çështjeve të politikës globale, krizat politike në nivel global, siç është rritja e të djathtës ekstreme, mosfunksionimi i institucioneve ndërkombëtare dhe probleme tjera të thella bëjnë që të vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja e sistemit global. Epidemia e virusit korona, sipas tyre, na lë të kuptojmë se na pret një krizë shumë herë më e thellë se sa ajo që pritej e dukej në fillim të krizës. Odat ekonomike në Maqedoninë e Veriut, kritikojnë Qeverinë për masat që ka paraparë, për ta kaluar krizën ekonomike që e ka shkaktuar virusi korona. Ata thonë se masat për të kursyer kompanitë, dhe jo supozimet e përgjithshme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik është hap i gabuar i autoriteteve shtetërore. Heqja e detyrimeve fiskale, reduktimi i administratës joproduktive dhe më shumë para për sektorin privat, janë pjesë e vërejtjeve të odave ekonomike, drejtuar kryeministrit të ri të vendit, Zoran Zaev.

Shtytje për zhvillim të qëndrueshëm

Durim Zeqiri, hulumtues nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), për gazetën KOHA, është shprehur se gjatë viteve të fundit OEMVP, gjithnjë ka apeluar drejt Qeverisë që të bëhet shtytje për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike prej mbi katër për qind në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve vijuese, por edhe pse ne rrethana normale, kjo nuk u arrit. “Në kohë pandemie kur ekonomitë e Europës dhe më gjerë po përgatiten për recesion ekonomik, është e vështirë të realizohet një rritje ekonomike prej mbi katër për qind. Duke ju referuar raporteve ndërkombëtare, parashihen skenarë të ndryshme të recesionit potencial të vitit 2020, ku parashihet rënie prej -1.4 deri -3.2 për qind, ndërsa e ngjashme pritet të jetë edhe situata në vendet e rajonit”, shtoi Zeqiri. Ai deklaroi se Qeveria e re në periudhën e ardhme duhet të fokusohet në rimëkëmbjen e bizneseve të dëmtuara, përforcimin e atyre bizneseve aktuale duke i mbështetur në avancimin teknologjik, digjitalizim si dhe duke i përfshirë në tregje të reja. “Ndërsa për eliminimin e problemeve në plan afatgjatë, duhet me seriozitetin më të madh të luftohet korrupsioni, reforma në institucione, fuqizimin e shtetit të së drejtës, përforcimin dhe avancimin e sistemit arsimor”, ka nënvizuar Zeqiri. Siç tha ai, këto aspekte i kushtojnë shumë ekonomisë së vendit, duke nisur nga korrupsioni e cila shkakton humbje të madhe financiare, e deri te sistemi arsimor i cili nuk arrin të prodhojë në sasi të mjaftueshëm kuadro kualitativ të cilët do kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Ndryshe, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, ka deklaruar se virusi korona nuk është më vetëm një rrezik për shëndetin tonë, por edhe një „shok për ekonominë tonë”. Sipas saj, nëse ekonomia në BE do të dobësohet, Komisioni i BE-së mendon të shfuqizojë rregullat europiane të buxhetit. Ata kanë paralajmëruar se BE-ja do të verë në dispozicion 37 miliardë euro për luftën kundër pandemisë së virusit korona.