Arben Taravari, Kryetar i Komunës së Gostivarit njeherësh dhe Sekretari i përgjithshëm i ASH, në një intervistë për “Shekullin”, flet edhe për zgjedhjet Presidenciale në Maqedoni.

Intervista e plotë:

1.Taravari, Maqedonia e Veriut tashme ka hyrë në një fazë të re. Si e shikoni situatën atje? Ndërkaq, në Maqedoni do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale më 21 Prill… A do të kemi një kandidat shqiptar?

Faleminderit që keni hedhur vëmendjen tuaj nga vendi ynë i cili tashmë fatmirësisht duket se më në fund po njeh orë të mira. Maqedonia sapo është pagëzuar me emrin e saj të ri, le të themi me emrin evropian të saj, pasi Maqedonia e Veriut duket se është viza që kemi marrë për të qenë pjesë e një familje demokratike dhe të lirë si është Bashkimi Evropian dhe si është kënaqësia e madhe të jesh anëtar tashmë i NATO-s, ushtrisë euro-atlantike të paqes. Megjithëse ndryshimi i emrit kushtoi ngarkesa emocionale krejt të kuptueshme për disa qytetarë, vetëm “disa” të le të kuptosh që pjesa dërrmuese e popullit miratoi emrin e ri, pasi njerëzit tashmë janë të qartë që rruga evropiane është zgjidhja më e mirë që kemi në tavolinë, madje ndoshta dhe e vetmja. Të shikoje flamurin e NATO-s të valëvitej në qiellin tonë ishte një ndjenjë e pastër dinjiteti dhe krenarie! Për sa i përket çështjes së Presidentit, dita e zgjedhjes së tij është afër. Institucioni i tij është shumë i rëndësishëm dhe për vende me demokraci të brishtë si yni çdo episod zgjedhor është një sfidë më vete, megjithatë jemi optimistë që ato të jenë të lira dhe demokratike. Ne si parti jemi ende në proces diskutimi për të dhënë një Zgjidhje për Zgjedhje.

Presidenti Aktual i Maqedonisë së Veriut, ka mbajtur qëndrime kundërshtuese ndaj zhvillimeve atje, duke përfshire edhe ngurrimin e tij për t’i dhëne mandatin kryeministrit aktual Zaev, për krijimin e qeverisë. Por ai ka qenë edhe kundërshtues për ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut. Çfarë prisni ju nga një president i ri i Maqedonisë?

Po, z. Ivanov, presidenti aktual që për fat do të dalë shpejt nga detyra, ka qene një President që nuk ishte fort i qartë për detyrat e tij. Qëndrimet e Ivanovit shpesh herë ka qenë shoviniste, me keqardhje më duhet të pohoj që vendimet e tij kanë qenë të udhëhequra nga pasionet partiake, të cilat duke ju referuar partisë tek e cila besonte, rezultojnë të jenë të gabuara, kundër të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ai dobësoi figurën e Presidentit duke e lënë vendin në mëshirë të fatit për sa i përket fuqisë menaxhuese që një President duhet të ketë. Nga Presidenti i ri, cilido qoftë ai ne presim një figurë që na përfaqëson të gjithëve, me këtë nënkuptoj, që do të përpiqet maksimalisht brenda fuqisë së pozitës së tij që jetë aty për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Do të jetë President i popujve të Maqedonisë së Veriut, duke punuar njëkohësisht dhe me të njëjtin dedikim për çdo etni, gjuhë, fe dhe traditë të tyre! Për çdo President dhe për çdo politikan duhet të kuptohet mirë fjalia e Presidentit amerikan z.Barack Obama kur tha: Unë jam President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk jam Perandori i Shteteve të Bashkuara! Ndaj secili nga ne që mbajmë poste, secili funksionar duhet të punojë me përulësi dhe dedikim ndaj njerëzve që përfaqëson, ndryshe historia nuk do të ketë mëshirë për ta, imagjinoni Zoti!

Arben Taravari u lind më 7 prill 1973 në Komunën e Gostivarit në Maqedoninë e Veriut. Ai është politikan, mjek, shkrimtar. Në vitin 2017 ka qenë njëkohësisht edhe Ministër i Shëndetësisë. Si subjekt politik bën pjesë tek Aleanca për Shqiptarët ku dhe është sekretar i përgjithshëm i partisë në fjalë. Shkollën e mesme të Mjekësisë e kreu në “Pançe Karagjozov” në Shkup dhe u diplomua në Universitetin “Kirili-Metodi” në vitin 1998 në degën e Mjekësisë. Arben Taravari u specializua në neurologji në vitin 2006, dhe në vitin 2011 mbrojti disertacionin e doktoratës në fushën e sëmundjes së Parkinsonit. Në vitin 2016 Taravari ishte kryetar i departamentit të çrregullimeve ekstrapiramidale në Klinikën Universitare e Neurologjisë dhe ishte anëtar i bordit tek revista mjekësore ndërkombëtare “Medicus” dhe “Vox Medici”. Taravari është i martuar dhe është babai i dy fëmijëve. Ai flet shqip, maqedonisht, turqisht, anglisht dhe serbisht. Disa nga librat e tij më kryesorë përmendim: “Migrena, dhimbje koke dhe sindroma e dhimbshme” (2016); “Praktika në neurologji” (2014); Të gjeturat klinike dhe gjenetike në pacientët me sëmundje idiopatike Parkinson, disertacioni i doktoratës (2011); Studimi epidemiologjik klinik i parkinsonizmit në Shkup: Teza e magjistraturës (2006); Udhëzuesi i terapisë farmakologjike (2006). Aktualisht Arben Taravari është Kryetrari i Komunës së Gostivarit.

Gjatë intervistës së tij, Kryetari i Komunës së Gostivarit, flet edhe për funksionimin e partive shqiptare dhe për qarkullimin e elitave, që ato duhet të bëjnë. Në mënyrë të veçante ai kritikon Partinë për Drejtësi dhe Integrim, e cila ka qëndruar në pushtet për gati 17 vjet.

Të ndalemi pak tek çështjet e komunës së Gostivarit. Kohët e fundit ka pasur probleme me marrëdhëniet e pushteti lokal me atë qendror. Si e shikoni këtë bashkëpunim tani? Një problem tjetër që është jo vetëm për Komunën por edhe për komunat e tjera në Maqedoni është edhe problemi i emigrimit. Si është duke u trajtuar ky problem?

Unë u zgjodha nga qytetarët e Gostivarit të punoj si Kryetar i Komunës së Gostivarit rreth një vit më parë. Zakonisht thonë u zgjodha në postin e Kryetarit, por mua më pëlqen të ndërtoj disa koncepte të reja për perceptimin e figurave drejtuese, dhe po, të jesh Kryetar i një Komune, Bashkie, shteti, është punë, dhe është punë e vështirë. Gjithsesi unë jam i ndërgjegjshëm që duhet shumë kohë që ky koncept të kuptohet nga politikanët ballkanik, të cilët sapo marrin funksione hipin në malin Olymp dhe kanë punë vetëm me zotat. Kur erdha në detyrë, Gostivari ishte në një krizë të madhe ekonomike dhe sociale. Ishte e vështire të kthehej besimi, të kthehej një lloj balance midis pushtetit Qendror dhe Lokal, sepse ju e dini që politika ballkanike është dramatike dhe spektakolare, por duket se kryeministri Zaev është tashmë duke qartësuar shumë qëndrime të padrejta që vinin nga pushteti Qendror dhe kam besim se do t’i shkojë deri në fund. Ka shumë lëvizje pozitiviste që duhet të bëhen, domosdoshmërish të bëhen, sidomos në krahun e partive shqiptare. BDI-ja (partia shqiptare që ndan pushtetin me LSDM-në), ka 17 vjet që rri në fronin e qeverisë, njësoj sikur të ishte mbret i ndonjë dinastie. Ndryshimi i kryeministrit dhe partisë që udhëheq nga ana maqedonase ishte pozitiv dhe progresiv, është indeks i pastër se çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët, klika e BDI-së që rri në kupolë, nuk ndodhet në vendin e duhur, duhet të shkojë të pastrojë shumë llogari për tu rifutur denjësisht në politikë. Problemi i Emigracionit nuk mund të linte pa prekur një vend të varfër si Maqedonia e Veriut. Ky është një problem i cili nuk shqetëson jo vetëm Ballkanin, por në mbarë botën sot po shqetëson fenomeni i rrjedhjes së popujve nga një vend më me pak mundësi drejt një vendi me nivel më të lartë ekonomik. Ne shqiptarët e quajmë braktisje, sidomos ne shqiptarët e Maqedonisë e kemi shumë të rëndë për shkak të mungesës së gjatë të së drejtave kombëtare. Jam i gëzuar të pohoj se vendi ynë me hyrjen në NATO dhe me orientimin pro-evropian ka bërë dhe do të bëjë hapa tepër të rëndësishëm drejt udhës së Drejtave dhe Lirive të një populli. Qartësimi i drejtë i pozitës së individit, është garanci për një shtet të mirë, që i do vendasit e tij dhe natyrisht që do të krijojë klimë pozitive për investime, do të ketë më shumë shpresë, e cila është ndjenja kryesore që çon përpara një shtet, që i mban djemtë e vajzat e tij në shtëpi. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një histori të gjatë mërgimi, të detyruar dhunshëm nga vitet e gjata të shovinizmit jugosllav e fatkeqësisht dhe nga shteti i ri në atë botë maqedonas. Diskriminimi, përndjekja, poshtërimi që ka ndodhur me ne këtu, është epik, dhe ndoshta ka ardhur koha që gjithçka të zbardhet në faqet e historisë, por triumfi i jashtëzakonshëm është fakti që megjithëse të detyruar të iknin, shqiptarët kurrë nuk i harruan tokat e tyre, gjuhën e tyre, shtëpitë e tyre. Ata u përzunë, ata nuk braktisën. Ky është një nga aspektet më patriotik që thuajse është krejt i heshtur, por që duhet të flitet me zë të lartë për t’i treguar të gjithëve se shqiptarët nuk ndahen kurrë me dëshirë nga tokat e tyre, ndaj shumë pak për t’i bërë ata që të rrinë këtu. Nëse ne politikanët bëjmë mirë punën për të cilën marrim rrogë, njerëzit nuk do të ikin…që njerëzit të duan vendin e tyre, vendi duhet të japë motivet për t’u dashtë!