Profesori universitar, Izet Zeqiri siç bëhet e ditur nga burime të TV21, është kandidati i vetëm për rektor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Ai është kandidati i vetëm që ka aplikuar në konkursin e hapur, për të pasuar rektorin e deritanishëm, Aziz Pollozhani.
Programin tashmë e ka gati, dhe meqë ka kaluar fazën e parë ku është përzgjedhur të promovojë të njëjtin, ai nga java e ardhshme do të prezantohet para këshillave mësimorë në kuadër të pesë fakulteteve në UNT.
Pas promovimit të programit, këshillat mësimorë do të duhet të vlerësojnë programin.
Për këtë e pyetëm profesorin Zeqiri.
Ai thotë se nuk e di nëse është kandidati i vetëm, dhe edhe nëse do të ishte, kjo nuk do të thotë se ai do të jetë rektori i ardhshëm.
Por në pyetjen e TV21 se a mendon se i plotëson kushtet, Zeqiri me përgjigje:
“Ligjërisht i plotësoj kushtet, sepse kam eksperiencë menaxheriale, pasi kam qenë dekan në 4-5 mandate në universitetin e Evropës Juglindore dhe kam përgatitjen e mjaftueshme akademike”.
Profesori Izet Zeqiri është doktor shkence në ekonomi. Këtë shkallë të arsimit e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, në Kosovë. Nivelin e masterit e ka mbaruar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, kurse studimet baçellor po ashtu në shkenca ekonomike në Universitetin e Prishtinës në Kosovë.
Ka të publikuara qindra publikime shkencore në fushën e ekonomisë dhe njëherit është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.