Profesori i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-së, prof. dr. Jeton Shasivari nga 25 deri 27 gushti qëndroi në Allbena të Republikës së Bullgarisë, ku mori pjesë në Konferencën e pestë ndërkombëtare të shkencave shoqërore dhe të arteve e njohur si: SGEM, ku në sesionin e parë plenar të prezantimeve orale kushtuar shkencave juridike, i paraqiti gjetjet e tij të dy publikimeve shkencore: “Aspektet kushtetuese dhe juridike të sistemit partiak në Republikën e Maqedonisë-Gjendja dhe perspektivat” dhe “Sfidat juridike dhe praktike të Republikës së Maqedonisë në aplikimin e parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë”.

Konferenca e SGEM e shkencave shoqërore dhe arteve, organizohet nga disa akademi të shkencave e të arteve, si: Akademia Evropiane, Akademitë e Bullgarisë, Kroacisë, Çekisë, Slovakisë, Turqisë, Polonisë, Rusisë, Ukrainës, Moldovës, Armenisë, Gjeorgjisë, Letonisë, Këshilli shkencor i Japonisë, etj., ku punimet shkencore të kësaj konference evaluohen dhe indeksohen nga bazat e njohura botërore të të dhënave shkencore.