Pavarësisht të ftohtit dhe reshjeve të shiut, fëmijët me nevoja të posaçme dhe prindërit e tyre të kaluan natën në tendat e vendosura para Kuvendit. Ata thonë se nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre për të përmirësuar jetën fëmijëve. Sipas tyre, përpos disa shoqatave joqeveritare, asnjë nga politikanët nuk i ka vizituar.

“Nuk kishim asnjë vizitë nga politikanët deri më tani, asnjë nuk ka qenë tek ne. Do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu deri sa të na plotësohen kërkesat tona. Çdo muaj më datën 20 deri sa të formohet qeveria do dalim këtu do qëndrojmë dy net dhe tre ditë, ndërsa pasi të formohet qeveria atëherë do bëjmë një mbledhje masive të prindërve që kanë fëmijë me nevoja të posaçme, që të na shohin se sa jemi. Ishte pak ankth natën, shiu na befasoi pak po kaloi”, u shpreh Suzana Stojanovska, nënë e fëmijës me Doun Sindrom.

“Shiu nuk na pengoi që ne sot përsëri të jemi këtu dhe të ju presim me buzëqeshje në fytyrat tona dhe të tregojmë se po qëndrojmë këtu. I kemi të vendosura këtu tendat tona, kemi programin e punës sonë. Kemi aktivitete përmes së cilave i motivojmë këta fëmijë që t’i pranojnë vlerat që natyra na i ka dhënë dhe të jenë të barabartë me të gjithë tjerët”, tha Suaret Alshat, Iniciativa qytetare.

Fëmijët me nevoja të veçanta dhe të afërmit e tyre do vazhdojnë të qëndrojnë në tenda deri nesër pasdite. Ata kërkojnë ndryshime në ligjin për mbrojtje sociale dhe shëndetësore, me qëllim që fëmijëve tu sigurohen kushte më të mira në sistemin arsimor dhe shëndetësor. Nga LSDM-ja thonë se mbështesin kërkesat e tyre dhe presin që kërkesat edhe zyrtarisht të dorëzohen në Qeverinë e re. Nga partia e Zaevit thonë se me ligj do të mundësojnë formimin e qendrave parashkollore për fëmijët me nevoja të posaçme me të cilët do të punojnë edukatore speciale./ALSAT