Të punësuarit dhe studentët e Institutit të Kimisë pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup protestuan në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës, madje duke vënë në pikëpyetje realizimin normal të veprimtarisë hulumtuese shkencore. Përmes protestës u apelua që urgjentisht të miratohen kërkesat për punësim të bashkëpunëtorëve të rinj.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashihen fonde për rikonstruimin dhe pajisjen e laboratorëve studentorë si dhe fonde për rikonstruimin e objektit të Institutit. Në buxhet të parashihen fonde për financimin e projekteve hulumtuese shkencore, me qëllim që t’i mbajmë këtu të diplomuarit më të mirë dhe t’u ofrojmë kushte dhe mundësi të zhvillimit të karrierës akademike në vendin tonë – deklaroi Marina Stefova, udhëheqëse e Institutit të Kimisë.

Studentët që akoma janë në studime dhe ata të diplomuarit shprehen të revoltuar për kushtet për studime, posaçërisht mësimin praktik. Madje, shumë prej tyre mendojnë që studimet t’i vazhdojnë jashtë shtetit nëse në ndërkohe nuk përmirësohen kushtet në këtë institut.

Ajo që na mungon është modernizimi i instrumenteve në laboratorët tona. Ne kërkojmë të kemi mësim praktik në nivel më universitet evropiane – u shpreh Hristina Treshevska, studente.

Nëse nuk ndryshohet asgjë atëherë ne jemi të detyruar të largohemi prej këtu duke kërkuar kushte më të mira. Njohuritë që i marrim në këtë Institut vërtet janë në një nivel shumë të lartë, mirëpo problemi është se ato njohuri ne nuk mund ti tregojmë askund. Momentalisht jam në pritje të bursës, nëse nuk ma miratojnë këtë bursë unë nuk do të mund të vazhdojë me mësime – deklaroi Mirjana Sazdovska, e diplomuar në Institutin e Kimisë.

Sipas profesorëve të këtij instituti, në 8 vitet e fundit nuk është marrë asnjë pëlqim për punësim të asistentëve të rinj, në ndërkohë që janë pensionuar një pjesë e profesorëve dhe laborantëve të cilët janë të domosdoshëm për realizimin e mësimit praktik. Për momentin, në këtë Institut janë të punësuar 24 persona, prej tyre 20 profesor dhe 4 laborant. Nga Ministria e Arsimit sqaruan se tashmë kanë pranuar kërkesë nga institucioni në fjalë për angazhimin e dy asistentëve dhe tre laborantëve për të cilën janë përgjigjur pozitivisht dhe njëjta është procesuar në Ministrinë e Financave e cila pritet të jap përgjigje pozitive. /Alsat M/