Para disa ditëve ishin para Qeverisë, ku i lexuan kërkesat e tyre.

Por pasi nuk i dëgjoi askush, bujqit e Haraçinës dhe Gazi Babës sot bllokuan bulevardin “Aleksandar Makedonski” në Shkup. Ata i kërkojnë dëmshpërblimet për dëmet që ua shkaktuan vërshimet e vitit 2018.

“Kemi kërkuar që të trajtohemi në mënyrë të barabartë ne bujqit e këtyre dy komunave, sepse kemi shumë informata të sigurta se nëpër komunat e ndryshme në R.M.V ka pasur dëme pas 2018 dhe u është bërë pagesa. Vetëm një komunë do ta përmendi Resnjën. Në Resnje ka pasur dëme 2019 dhe është bërë pagesa e dëmeve për bujqit e Resnjës”, tha Adnan Hajrullahi.

“Në vend që të jemi në ara dhe të punojmë, ne kemi dal dhe protestojmë. Nuk e di përse ne duhet ta kërkojmë të drejtën tonë për mes protestës”, u shpreh një protestues.

Bujqit thanë se sot është vetëm dita e parë e protestës, pasi ata do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të zgjidhet problemi. Nga Qeveria nuk ka asnjë reagim.