Banorët e Çairit dhe rrethinës frikësohen nga sulmet eventuale të qenve endacak. Ngjarjet e fundit, të cilët u regjistruan nëpër lagje dhe komuna të ndryshme brenda qytetit të Shkupit, kanë ngjallur reagime edhe nga banorët e Komunës së Çairit, shkruan gazeta KOHA. Vërejtjet më të shpeshta të cilat mund t’i hasësh nëpër rrjetet sociale, por edhe përmes njoftimeve që kanë arritur deri te redaksia jonë, kanë të bëjnë me prezencën e madhe të qenve endacak përreth institucioneve edukativo-arsimore.

Tufat e qenve endacak, njëkohësisht paraqesin rrezik edhe për kalimtarët e rastit. Me këtë situatës, siç mund të lexohet nëpër rrjetet sociale, më së shpeshti ballafaqohen ata qytetarë, të cilëve orari i punës ju fillon në orët e para të mëngjesit. Përkundër faktit se problemi me qentë endacak është riakutalizuar ditëve të kaluar, për banorët e lagjeve Fushë Tophanë, Çair, Xhon Kenedi e rrethinë kjo situatës vazhdon të mbetet e njëjtë për vite të tëra. Qytetarët, të cilët jetojnë në këto pjesë të qytetit, nëpërmjet formave të ndryshme të reagimeve thonë se në rast se komuna dhe autoritet përkatëse nuk ndërmarrin masa për largimin e këtyre qenve nga rruga, atëherë ato vetvetiu do të organizohen.


Autoritet e Komunës së Çairit kur flasin për këtë problematike, thonë se çështja e trajtimit të qenve endacak është kompetencë ligjore e Qytetit të Shkupit dhe NP “Higjiena Komunale”, të cilët i posedojnë të gjitha mekanizmat trajtimin e tyre. “Ne si institucion komunal nuk kemi asnjë kompetencë ligjore që të veprojmë. Mirëpo, ne si komunë jemi në shërbim të qytetarëve, me të cilët kemi bashkëpunuar në të ardhmen rreth kësaj çështje, respektivisht për ta parandaluar dhe zgjidhur këtë problematike, ne edhe tutje ndërmjetësojmë në çdo denoncim të qytetarëve që na adresohet neve si komunë. Nëse banorët e Çairit dhe lagjeve tjera të komunës tonë hasin në qen endacak, krahas organeve përkatëse, ato mund të na drejtohen edhe ne, me çka shqetësimin dhe brengën e tyre do ta paraqesim deri te institucionet relevante”. Meqë kohëve të fundit janë regjistruar raste të ndryshme të qenve endacak, nga Komuna e Çairit apelojnë deri te banorët e tyre që të kenë kujdes dhe mos të hedhin materie helmuese apo substanca tjera të rrezikshme, pasi ekzistojnë mekanizma ligjore për zgjidhjen e kësaj problematike. Për të pasur një pasqyre më reale se si qëndron çështja e trajtimit të qenve endacak dhe se a ekziston ndonjë plan gjithëpërfshirës në NP “Higjiena Komunale” për mbledhjen e këtyre qenve, gazeta KOHA nuk arriti të marrë përgjigje nga ky institucion.

Sidoqoftë, pavarësisht thirrjeve që prezenca e madhe e qenve endacak të paraqitet dhe denoncohet në organet përkatëse, qytetarët e Çairit theksojnë se këto denoncime janë të kota, gjegjësisht çdoherë kur i kanë paraqitur sulmet apo prezencën e qenve endacak, shërbimet komunale nuk kanë dalë në vendngjarje ose fare nuk janë përgjigjur. Ndryshe, siç raportuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ditë më parë në lagjen Aerodrom të Shkupit, është regjistruar një sulm nga një qen, i cili ende nuk është vërtetuar se bëhet fjalë për qen endacak apo i njëjti ka qenë pronë e ndonjë qytetari. Nga policia e Shkupit kanë potencuar se në rast të vërtetimit se qeni i cili për momentin është internuar në kampin për qenë endacak “Vardarishte” është pronë e ndonjërit, atëherë ndaj personit përgjegjës do të ngrihet padi penale. Në pajtim me dispozita te Kodit Penale, dënimi varion nga 6 deri në 5 vite heqje lire. Njëkohësisht, pas sulmeve të njëpasnjëshme të qenve, siç është rasti në Aerodrom, Lisiçe e Gazi Babë, qytetarët kanë reaguar në mënyrë radikale dhe i kanë helmuar mbi 20 qen endacak, në mesin e të cilëve edhe mace.