Ndërmjetësi i OKB-së për emrin Methju Nimic do të vizitojë Shkupin dhe Athinën në dhjetë ditët e ardhshme, për ti njoftuar krerët e dy shteteve për raundin e fundit të bisedimeve, por edhe për propozimet. Nga qeveria thonë se po analizojnë propozimet e Nimicit të dala nga takimi i fundit me negociatorët. Por nga ekzekutivi nuk japin më shumë detaje lidhur me propozimet.

Qeveria tashmë punon në analizimin dhe konsultimet rreth kornizës së dorëzuar nga ndërmjetësi Nimic. Në periudhën e ardhshme do të bëjmë përpjekje për proces sa më inkluziv që të jetë e mundur përfshirja e gjithë faktorëve politik në vend, në drejtim të ndërtimit të një strategjie të përbashkët – njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë.

Të mërkurën në Davos të Zvicrës do të takohen kryeministrat e dy vendeve Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev. Takimi, sipas mediave greke do të kalojë nën hijen e protestave të një dite më parë që u mbajtën në Selanik. Sipas mediave në Athinë, Ciprasi më lehtë do të kishte të gjejë zgjidhje se sa të sigurojë mbështetje në popull. Nga partia Syriza thanë se në protestën e djeshme kishte elemente nacionaliste, ndërsa u zotuan se do të mbrojnë interesat nacionale. Kreu i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Kyriakos Micitakis akuzoi partitë në pushtet se nuk mbrojnë interesat nacionale.

Pjesëmarrja mbresëlënëse në protestë tregon ndjeshmërinë veçanërisht të lartë të shoqërisë në çështjen e emrit të Shkupit. E respektoj dhe ndaj këtë ndjeshmëri. As elementet e vegjël radikalë nuk mund ta ndryshojnë karakterin e kësaj proteste të madhe popullore. Protesta në të njëjtën kohë shpreh pakënaqësi të qytetarëve ndaj një Qeverie, që vepron në mënyrë të fshehtë dhe që me veprimet dhe mosveprimet e saj, tregon se nuk është në gjendje të mbrojë interesat kombëtare – tha Kyriakos Micotakis, Demokracia e Re.

Në protestën e Selanikut rreth 90 mijë qytetarë shprehën mospajtim që zgjidhja e emrit të përmbajë termin “Maqedoni”, për shkak se sipas tyre “Maqedonia është Greqi”. /Alsat M/