Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka vendosur të autorizojë Përfaqësuesin e Përhershëm të RMV-së në NATO, ambasadorin Dane Taleski, të miratojë anëtarësimin e Mbretërisë së Suedisë dhe Republikës së Finlandës në NATO, njoftuan nga press qendra e Qeverisë.

Kujtojmë se Ambasadorët e Suedisë dhe Finlandës në Bruksel zyrtarisht ia kanë dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, aplikimet për anëtarësim në NATO.

Duke pranuar aplikimet në selinë e NATO-s, Stoltenbergu këtë veprim e ka quajtur një “hap historik” në “moment kritik” për sigurinë e Evropës.

Për momenti vetëm Turqia ka hedhur poshtë kyçjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO, kurse përfaqësues të këtyre vendeve të Hënën në Ankara do të përpiqen të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimit të Turqisë.