Qeveria e Maqedonisë, në seancën e 57-të ka formuar Këshillin për ndjekjen e implementimit të strategjisë në gjyqësor për periudhën 2017- 2022, mirëpo siç sqaroi zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski pjesë e anëtarëve nuk do të jenë personat që gjatë njëmbëdhjetë viteve të kaluara kanë qenë pjesë e dukurive negative në gjyqësor.

Kjo nënkupton se kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski dhe ai i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski të cilët kanë qenë në funksionet aktuale gjatë 11 vjetëve të kaluara do të mbeten jashtë përbërjes së Këshillit të Reformave “të Zaevit”.

Pritet që paralelisht mefunskionimin e Këshillit e ri që do të ndjek zbatimin e e strategjisë së realizimit të reformave në gjyqësor me të cilin do të udhëheq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev do të bëhet edhe ndryshimi i kryetarëve të gjykatave.

Kjo deklaratë e Zaevit erdhi pasi që i njëjti deklaroi se pjesë e Këshillit të Reformave do të jenë edhe kryetarët e Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatës Supreme.

“Shkojmë në vendosjen e funksioneve si: kryetar i gjykatës, kryetar i Prokurorisë, apo ngjashëm. Për mua, duke filluar nga Zoran Zaev dhe deri te cilido funksionarë gjithçka është përkohshme dhe e ndryshueshme”, tha Zaev në fund të muajit janar.

Ndërrimi i funksionarëve gjyqësor bëhet në kohën kur nga Qeveria e Maqedonisë sollën vendim për formimin e Këshillit të ri që do të ndjek zbatimin e e strategjisë së realizimit të reformave në gjyqësor. Sipas asaj që u bë e ditur nga udhëheqësi i Këshillit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në përbërje të Këshillit do të jenë kryetarët e Gjykatave të Shkupit, Prokurorisë Publike, e Prokurorisë Speciale Publike dhe persona të tjerë, që sipas Zaevit “janë njohës të mirë të praktikës gjyqësore”.

Përndryshe, në Maqedoni kemi kryetar të ri të Prokurorisë Publike i cili u emërua pas gjashtë muajsh formim të Qeverisë, Lubomir Joveski që erdhi në vendin e Marko Zvërlevskit që në opinion u njoh si “prokuror me duar të përgjakura”. Në të njëjtën vijë të vlerësimit sikurse Zvërlevski është edhe kryetari aktual i Gjykatës Supreme në Shkup, Jovo Vangellovski i cili është edhe kumbar i ish kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë tash deputet i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski.

Vangellovski në opinion u aktualizua me parregullsitë që dolën në lidhje me sistemin AKMIS, ku në bazë të raportit që u publikua nga Ministria e Drejtësisë doli se lëndët gjyqësore, përfshirë edhe ato të Prokurorisë Speciale Publike janë shpërndarë në mënyrë manuale te gjykatësit e afërt me VMRO-DPMNE-në. Raporti për parregullsitë e AKMIS-it pas një muaji arriti në Prokurorinë Themelore Publike.

Skandali me sistemin AKMIS, sistem ky që në Gjykatën Themelore dedikohet për ndarjen e lëndëve te gjykatësit kompetent, përfshinë Vlladimir Pançevskin që punoi të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale Publike si i afërt me ish-kryetarin e Gjykatës Penale Shkupi 1, Jovo Vangellovski. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.