Qeveria e Kosovës i ka shfuqizuar vendimet e qeverisë paraprake për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të Qeverisë “Kurti“ për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020 për plotësim ndryshimin e vendimit të 20 marsit për reciprocitetin.

Kundër këtij vendimi kanë votuar ministrat e AAK-së në Qeveri.

Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur vendim të rëndësishëm atë për heqjen e reciprocitetit. Në një konferencë për medie, Ai ka thënë se pret që edhe pala serbe t’i heqë pengesat në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heqë të gjitha pengesat. Por, ne e ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tone, në pajtim me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se Qeveria e ka marrë këtë vendim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, por ka shtuar se Kosova e ruan të drejtën e marrjes së vendimeve të nevojshme për mbrojtjen e sovranitetit të saj.

“Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Zotimet që i kemi marrë janë që t’i heqim pengesat e dialogut. Edhe ambasadorit amerikan dje ia konfirmova këtë vullnet. Janë hequr të gjitha pendesat për një periudhë kohore. Nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritura ne ruajmë të drejtën për të vendosur sërish”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se vendimet që janë marrë sot hyjnë në fuqi menjëherë.