Në mbledhjen e saj të rregullt, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqyrtoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive me çka shfuqizoi mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në hapësirë të mbyllur, me përjashtim të institucioneve shëndetësore, transportit publik, barnatoreve dhe shtëpive të pleqve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi i Qeverisë, Muamet Hoxha bëri të ditur se Qeveria fuqishëm e afirmon rekomandimin e KSN-së që në hapësirë të mbyllur, personat mbi 65 vjet, të sëmurët kronikë dhe me imunitet të ulët të mbajnë maska.

“Në përputhje me rekomandimet hiqet detyrimi për mbajtje të detyrueshme të maskave gjatë mësimit në shkollat e mesme, si dhe ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimit në natyrë Gjithashtu, Qeveria solli vendim për shfuqizimin e masës për izolim të detyrueshëm të personave që kanë pasur kontakte të afërta me raste pozitive me KOVID-19, për të cilët mbetet masa për mbajtjen e maskës mbrojtëse në hapësirë të mbyllur në periudhë prej 7 ditësh nga kontakti i fundit me personat me KOVID-19 të vërtetuar,” përfundoi, zëdhënësi i Maqedonisë së Veriut, Hoxha.