Në godinën e Qeverisë u mblodhën inspektorët e ambientit nga i gjithë shteti për të diskutuar me tre ministrat çështjen e ndotjes alarmante të ajrit. Pas takimit u tha që kanë formuar ekip koordinues të inspektorëve dhe të policëve që të përforcojnë masat e kontrolleve në terren për gjetjen e ndotësve potencial, të cilët kanë trefishuar dendësinë e grimcave PM10 në ajër. Ministri brendshëm Spasovski tha se çdo ditë do të raportohet mbi shkeljet dhe gjobat do të jenë rigoroze si për firmat që nuk iu përmbahen standardeve ekologjike, ashtu edhe për amvisëritë që ndotin ajrin, duke përdorur si lëndë djegëse për ngrohje: gomat, plastikën dhe vajrat e përdorura motorike.

Ne dhamë detyrë që menjëherë inspektorët në nivel vendi së bashku me vetëqeverisjet lokale të bëjnë plan se ku do të bëhen kontrollet dhe në asistim të policisë do të inspektojmë të gjitha lejet A dhe B të subjekteve për t’i parë nëse i përmbushin standardet. Kjo do të thotë që mos të na pengoj vetëm kur dikush ndot por të kemi kujdes secili sepse do të ketë reagime të fuqishme nga institucionet me qëllim që këtë trend të djegies së pyjeve, mbeturinave nëpër deponitë e egra – tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Ministri i ekologjisë tha se gazifikimi i plotë është zgjidhja afatgjate, por ndërkohë shteti është duke subvencionuar inverterët në disa qytete, mos tolerimin e regjistrimit të automjeteve që emetojnë gazra mbi normalen dhe subvencionimin e kyçjeve në sistemin e gazifikimit në Kumanovë.
Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë tha se po subvencionojnë për bujqit edhe derivatet ekstra të lehta.

Ky është një plan afatgjatë, dhe do të marrim masa kur do të ndalim ndotjen në këtë sezon. Gazifikimi është strategji afatgjate e jona. Kurse në planin afat shkurtët do të parandalojmë ndezjen e zjarreve nga individët. Kontrollet vazhdojnë edhe në firmat për lejet A dhe B për efikasitet – deklaroi Naser Nuredini, Ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.

Deri sa autoritetet shtrëngojnë masat kundër ndotjes së ajrit, shoqëria civile po padit shtetin.
Shoqata maqedonase e juristëve të rinj kanë dorëzuar padi në Gjykatën Civile kundër Qeverisë, Ministrisë së ekologjisë dhe Qytetit të Shkupit për shkak të ndotjes së ajrit.

Ndërsa shoqatat ekologjike në një letër të hapur i kërkuan kryeministrit Zaev dhe Presidentit Pendarovski që të aktivizojnë policinë dhe ushtrinë për çështjen emergjente të ndotjes së ajrit. Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska sot tha se për ndërhyrjen e ushtrisë në teren, kjo sipas Kushtetutës duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në tërë shtetin.