Myslimanët në të gjithë botën të hënën, më 6 maj nisin muajin e shenjtë të Ramazanit. Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili tha se këtë vit do të agjërohet 29 ditë, respektivisht deri më 3 qershor. Më 4 qershor festohet Fitër Bajrami. Sipas muftisë, këtë muaj besimtari mysliman nuk abstenon vetëm nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet, por ai mban kontroll mbi gjuhën e tij, sytë, veshët, mendimet dhe veprat e tij.

Brenda muajit të bekuar të Ramazanit njeriu duhet të kuptoj edhe vlerën e Kuranit, dhe mbi të gjitha duhet të kthehet në leximin e Kuranit. Por, ajo që është shumë e rëndësishme në Ramazan është ta kthejmë njerëzoren tek njeriu. E dimë bota globale me çka ballafaqohet për çdo ditë, nuk mund të kuptosh ndjenjën apo pozicionin e dikujt tjetër pa e përjetuar atë. Ne e dimë se sa njerëz ka që janë në nevojë, sa njerëz ka të cilët nuk kanë të hanë dhe të pinë dhe ne kur lëshohemi në Ramazan si duket e tejkalojmë këtë pozicion të dhembshurisë që duhet ta posedoj besimtari. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme në Ramazan, që duhet ta kuptojmë gjithë ne është kthimi i shpresës tek njeriu”-tha Qenan Ismaili, myfti i Shkupit.

Ramazani është muaji i nëntë në kalendarin Islam. Shumë besimtarë myslimanë që anketuam kanë kryer përgatitjet e fundit për këtë muaj.

“Me padurim e presim Ramazanin. Për Ramazan duhet të jesh I pastër, të falesh, të lutesh, të hamë iftar e syfyr”.

“Për këtë muaj populli musliman mundohet të bëjë punë të mira e të hajrit, i largojmë të gjitha ato të këqijat që i kemi”.

“Jam më I fuqishëm kur agjëroj, prandaj me padurim e presim..E kena përgatit shtëpinë, e kena rregullu, e kemi pastru, ushqim kemi sjell në shtëpi që mos ta kemi problem për asgjë. Na mbetet të lutemi e të falemi, mos të bëjmë gjynahe, ajo na duhet”

“Ku ka të varfër duhet me ndihmuar. Nëse nuk ndihmojmë kot edhe që agjërojmë. Jo vetëm në muajin e Ramazanit, po gjithmonë duhet me qenë I larguar nga gjërat e këqija”.

Agjërimi është obligim fetar për çdo besimtar mysliman të moshës madhore të qëndrueshëm psiko-fizik, mirëpo nuk është i domosdoshëm për personat e shtyrë në moshë dhe të sëmurët. Sipas, myftisë Qenan Ismaili janë disa kategori njerëzish të cilëve u lejohet të mos agjërojnë. Mes tyre janë personat më sëmundje të përhershme, atyre të cilëve nga agjërimi u kanoset rreziku për dëmtim të ndonjë organi, pastaj gratë shtatzëna, personat me probleme psikike si dhe udhëtarët të cilët gjatë muajit të Ramazanit janë të detyruar të udhëtojnë më shumë se 81 kilometra./Alsat/