Rezidenca Studentore Universitare, apo e njohur ndryshe “Qyteti Studenti” duhej të ofronte një ambient të qetë dhe mjedis favorizues për të rinjtë ku të mbizotëronte dija.
Por më shumë se librari, apo ambiente studimi, aty fatkeqësisht mbizotërojnë pikat e basteve dhe të kumarit.
Vetëm pak metra larg dhomave të konvikteve, apo auditorëve mund të gjesh sallone bastesh sportive dhe lojërave të fatit.
Këto pika janë edhe vetëm pak metra larg stacionit policor dhe Drejtorisë së Rezidencës Studentore. Nga një vëzhgim sipërfaqësor rezulton se brenda territorit të “Qytetit Studenti” ushtrojnë aktivitetin të paktën 7 pika lotoje sportive, ose lojëra të tjera fati.
31 dhjetori i këtij viti është afati i fundit që parashikon ligji për zhvendosjen e pikave të kumarit larg institucioneve arsimore dhe fetare në një distancë 100 metra.
Por kur jemi 8 muaj nga skadimi afatit në të gjithë vendin vihet re një numër pa kriter i pikave të basteve, jo vetëm në çdo zonë, por edhe pranë shkollave, xhamive apo kishave./tch/