Presidenti bullgar, Rumen Radev ka theksuar se pret që Qeveria aktuale bullgare t’i përmbahet me përpikëri Deklaratës së Kuvendit Popullor, konsensusit dhe vullnetit të bullgarëve për zgjidhjen e çështjeve të hapura para fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Siç raporton BGNES, Radev përsëriti se qëndrimi bullgar për integrimin evropian të Maqedonisë bazohet në rezultate, jo në afate dhe kushte të vendosura nga jashtë. Sipas tij, çdo devijim i Qeverisë bullgare nga interesi kombëtar bullgar do të shkaktojë krizë në qeveri, përcjell INA.

“Këshilltarët e kryeministrit në asnjë mënyrë nuk duhet t’i cilësojnë bullgarët maqedonas si pakicë. Kjo mund të dëmtojë tërë procesin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë,” paralajmëroi Radev.

Edhe deputeti i opozitës GERB dhe ish-ministër i Jashtëm Daniel Mitov ka kritikuar kryeministrin Kiril Petkov se e ka nisur qëndrimin me gënjeshtra dhe po vazhdon ta bëjë këtë. “Qeveria nuk ka bërë asgjë. Petkovi nuk e kupton rastin e Maqedonisë, nuk e ka kuptimin e historisë së popullit të tij dhe nuk e ka idenë se sa është skalitur ky rast në vetëdijen e çdo bullgari”, tha Mitov.

Si Mitov ashtu edhe Radev i kanë bërë thirrje Petkovit që të jetë i kujdesshëm në përdorimin e termit minoritet kur flitet për Maqedoninë.

“Ne nuk kërkojmë asnjë të drejtë për minoritetin bullgar. Bullgarët në Republikën e Maqedonisë duhet të marrin statusin e kombit ndërtues. Ju bëj thirrje të jeni të kujdesshëm kur flisni. Bullgaria, sipas Kushtetutës, nuk njeh të drejtat kolektive, por vetëm ato individuale. Një fjalim i tillë mund të krijojë probleme në të ardhmen,” paralajmëroi Mitov.