Dikush për letërnjoftim, dikush për pasaportë apo leje të vozitjes, qytetarët i janë drejtuar pikës së re për ndryshimin e dokumenteve personale, pa caktuar termin. Pika në stacionin policor “Prolet” u lëshua në funksion. Autoritetet thonë se rreth 1000 qytetarë mund të fotografohen brenda një dite. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se hapja e një pike të tillë ishte e domosdoshme, por është e vonuar.

“Për lejen e vozitjes. Pres minimalisht gjysmë ore…Mendoj se kjo është në rregull, por është e vonuar, mendoj se duhej në fillim të bëhej kjo, të parashihej dhe përllogaritej se do të vjen deri në këtë situatë. Nuk do të ishte kështu, mund të bëhej menjëherë, ndoshta duhej edhe më shumë të ketë, por tani kjo është.”

“Pres për pasaportë dhe letërnjoftim, pa termin. Unë isha në mëngjes, tani duhet vetëm taksë të paguaj, por përfundova shumë shpejtë, për gjysmë ore. Kishte njerëz, por shumë shpejt ecte”.

“Për letërnjoftim”.
A po prisni gjatë kohë?
“Jo jo, tani gjysmë ore”.

“Për pasaportë….Shumë më mirë”.
-a i keni ndryshuar të gjitha dokumentet ?
“Fillimisht pasaportat, pastaj letërnjoftimet”.

“Përndryshe kemi caktuar që në muajin qershor, në termin të rregullt”.

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se në afatin e parashikuar të gjithë qytetarët do të pajisen me dokumente të reja.

“Në këtë periudhë kemi vendosur 10 stacione pune të reja, ku qytetarët do të mund të kryejnë procesin e fotografimit për dokumente. Sistemi është testuar dhe mundëson që rreth 1000 njerëz, për një periudhë prej 1 ditë pune t’i përfundojnë të gjitha procedurat. Dua të njoftoj se orari I punës së pikës është prej orës 8 deri në 18, me mundësi që të vazhdohet deri në orën 20:00. Deri në këtë moment në nivel shteti janë ndryshuar rreth 1 milion e 50 mijë pasaporta, rreth 900 mijë letërnjoftime dhe 480 mijë leje të vozitjes“, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër I Punëve të Brendshme.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë Spasovskin për kaosin e bërë dhe prej tij kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje.

“Ky kaos mbrapa meje është fotografia se si LSDM dhe Oliver Spasovski mendojnë evropizim. Ai i detyroi taksapaguesit maqedonas në një hangar për të nxjerrë dokumente, për t’i fotografuar, sikur të ishte Afganistani i pasluftës. Nuk ekziston as sistemi, as caktim, por radhë dhe rrëmuja”, deklaroi Stoilkoski.

Nga Ministria e Brendshme thonë se deri tani mbi 80 për qind e qytetarëve i kanë ndryshuar dokumentet. /Alsat.mk