Përfaqësuesit politikë serbë në Kosovë nuk kanë marrë vendim për të hyrë në asnjë koalicion, thotë kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq.

Ai ka theksuar se vota eventuale për formimin e Kryesisë dhe të organeve të Kuvendit, nuk do të thotë edhe përkrahje blanco për formimin e Qeverisë së Kosovës, transmeton Koha.net.

Rakiq në intervistën për gazetën e Beogradit “Politika” ka thënë se raporti I Listës Srpska ndaj disa partive politike shqiptare varet ekskluzivisht nga ajo nëse ato parti tregojnë mirëkuptim për problemet dhe dëshirat e popullit serb në Kosovës.

Ai ka sqaruar se Lista Srpska nuk do ta shfrytëzojë raportin aktual të forcave në korpusin politik shqiptar për t’i kontribuuar destabilizimit të rrethanave, porse do të veprojë ashtu që kriza aktuale të tejkalohet.

Lidhur me zvarritjen e formimit të institucioneve të Kosovës, Rakiq ka deklaruar se matematika paszgjedhore është e tillë ashtu që është i mundshëm, çdo epilog, e Lista Srpska, ka thënë ai, do ta ketë përgjigjen adekuate në secilin nga ta.

© KOHA