Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka treguar në Zona e Pavarësisë në Klan Kosova se ai kishte pasur një përplasje me ish-kryeministrin Maqedonas, Nikola Gruevski, për problemin e shqiptarëve në Maqedoni.
Rama tha se ishte Shqipëria që e futi marrëveshjen e Ohrit në agjendën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.

“Ne kemi një politikë të jashtme bazuar në parimin; zero probleme me fqinjët. Me Greqinë në dukej s’kishim probleme, por në fakt problemet ishin aty. Me Maqedoninë problemi ishte aty, elefanti ishte në dhomë, pavarësisht se të tjerët nuk donin ta shihnin; ishte shkelja e hapur e kushteve të barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve”, ka thënë Rama njofton Klan Kosova.

“Ne filluam të flasim hapur edhe në sy edhe në publik për domosdoshmërinë e çuarjes përpara agjendën e marrëveshjes së Ohrit. Ne futëm aty në dokumentin e Uellsit marrëveshjen e Ohrit për NATO-n, për të cilën kam pasur një debat shumë të fortë me ish-kryeministrin maqedonas, pasi për të kjo ishte çështje e brendshme e Maqedonisë”.
Rama ka lëvduar kryeministrin e ri të Maqedonisë, Zoran Zaev, për të cilin tha se ka qasje pozitive në raport me shqiptarët.

“Sot në Maqedoni kemi një qeveri me një vizion europian dhe me qasje pozitive ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Më nuk luhet me flamujt e nacionalizimit por luhet me agjenda zhvillimi dhe integrimi të brendshëm që bazohet tek aftësia për të udhëhequr”.

“Radikalizmi dhe nacionalizimi kanë qenë pasoja e trajtimit hipokrit të shqiptarëve të Maqedonisë, një guackëzim të politikës shqiptare në Maqedoni e cila arriti një moment që u përplas më murin”.

“Nuk ishte e rastësishme që kryeministri maqedonas mori numër votash nga shqiptarët, pasi hapi rrugën. Tani lidershipi shqiptar në Maqedoni duhet të shohë më larg sesa administrimi i politikës ditore”.

“Jam i bindur që kjo do të ndodhë dhe kështu defaktorizon grupimet fundamentaliste apo nacionaliste të cilat zgjerohen në terrene angështie dhe në terrene pamundësie për të ushtruar të drejta dhe liri të barabarta me të tjerët”.