Me 47 vota për, nëntë kundër dhe një të përmbajtur, Komisioni për punë të jashtme i Parlamentit Evropian e miratoi raportin e raportuesit Ivo Vajgëll për Maqedoninë në të cilin mbështetet hapje e negociatave me BE-në në qershor të vitit 2019.

Raporti duhet tani të miratohet në seancë plenare të Parlamentit Evropian gjatë nëntorit. Varësisht nga zhvillimi i gjendjes politike në Maqedoni deri atëherë është lënë mundësi e hapur që të dorëzohen amendamente plotësuese.

Vajgëll dorëzoi një amendament plotësues pas referendumit që u mbajt më 30 shtator në të cilin thuhet se nevojitet mbështetje plotësuese për ardhmërinë euroatlantike të vendit dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Euro-deputetët e inkurajojnë Qeverinë që t’i ndërmerr të gjithë hapat e nevojshme për respektimin e dispozitave nga marrëveshja me Greqinë, qëndron në amendament.

Refuzohen disa amendamente nga euro-deputetë grekë, midis të cilëve amendamente të deputetes greke nga SYRIZA, Sofija Sakorafa, e cila është kundër Marrëveshjes së Prespës.

Ajo mes tjerash dorëzoi amendament në të cilin kërkoi që të fshihet mbiemri “maqedonas” në gjithë raportin. Sakorafa gjithashtu kërkoi që të largohet nga teksti një fjali me të cilën përkujtohet se Maqedonia në fillimin e viteve 2000 ishte kampione në procesin euro-integrues në rajon.

Por, gjithashtu u refuzua një amendament i një euro-deputeti nga grupi Të Gjelbrit me të cilin kërkohej të vendoset konstatim për projektet e planifikuara infrastrukturore në zonat e mbrojtura që do të kishin impakt të rëndësishëm. Amendamenti, gjithashtu, kërkonte respektim të rekomandimeve nga Konventa e Bernit dhe suspendim të projekteve problematike.

Dje në debatin e fundit për Maqedoninë para votimit të sotëm, euro-deputeti Eduard Kukan paralajmëroi se në qoftë se vjen deri në zgjedhje të parakohshme në vend “një kohë të gjatë do të ketë kaos”.