Ka vazhduar seanca gjyqësore për rastin “Kumanova” me dëshmitë e të akuzuarve. Hajrush Avdijaj para gjykatës ka zbuluar detaje të grupit gjatë qëndrimit në Kumanovë nga data e 1 majit deri në ditën e ngjarjes, shkruan gazeta Lajm.

Sipas tij, Mirsad Ndrecaj nuk ka dëgjuar disa pjesëtar të grupit për të ikur nga lagjja dhe se i njëjti u ka siguruar duke u thënë se është në kontakt me funksionarë të lartë të shtetit dhe se janë të sigurt në lagje.

“Më 1 maj rastësisht kam takuar tezakun Xhafer Zymberaj, tashmë i ndjerë, ai më ka thënë se do të shkojë në Maqedoni dhe se atje e presin shqiptarë të Maqedonisë, më thirri edhe mua. Më 1 maj kemi hyrë në Maqedoni, në një fshat, diku 20 persona. Të nesërmen mbi ne fluturoi një helikopter. Pyeta pse rrimë këtu. Më thanë se do të takohemi me disa funksionarë ku do të flasim për të drejtat e njeriut në Maqedoni. Pyeta mos është rrezik të kthehemi?! Xhafer Zymberaj më tha se këtu jemi si në shtëpi. Më 2 maj u nisëm prej te shtëpia ku kaluam natën dhe mbrrinëm në një qytet. Na priti një i panjohur, na solli buke me ngrënë, ishim të lodhur. Xhafer Zymberaj më tha se jemi në Kumanovë. Unë rrija më shumë me Enver Hoxha Klein. Flisnim për çështje të Europës, në gjuhë gjermane dhe gjuhë tjera. Xhaferi nuk na linte të flasim në gjuhë gjermane, bile një herë më tha “hiqe këtë m… prej këtu”. 5 maj i thash Xhaferit se dua të kontaktoj me familjen. Kishte 4 ditë që s’kisha kontaktuar me familjen. Edhe kur dalë në Europë më shumë se 8 orë nuk kalojnë pa u lajmëruar në shtëpi. Ai më tha se do të gjeje zgjidhje. E njoftova tezakun Xhafer Zymberi se s’mund të rri mbyllur dhe se dua të dalë, por tezaku nuk më lejonte. Më kujtohet një rast kur Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj dhe Xhafer Zymberaj ishin më një dhomë ku se lejonin këdo të hyjë aty. Aty kishin qëlluar edhe Valdet Zekaj dhe Demë Shehu. Valdeti dhe Dema u kanë thënë se kjo punë nuk është në rregull dhe se këtu po e rrezikojnë veten, por edhe lagjen. Mirsad Ndrecaj u ka thënë se nuk ka hapësirë për shqetësim se gjendemi në Lagjen e Trimave, është lagje shqiptare dhe se është në kontakt me funksionar të lartë të shtetit. “Krejt e dinë se jemi këtu dhe jemi të sigurtë”, pat thënë Mirsadi. Rast tjetër: Enver Hoxha Klein i tha Fadil Fejzullahut çka mendon për këtë punë. Fadili i tha nuk di asgjë. Më 8 maj, i thash tezakut se do të dalë jashtë. Xhaferi më tha se do të vret policia. Nuk më lejoi. Prapë i luta që të kthehem në shtëpi. 9 maji ishte ditë zie për mua. Humbën jetë shumë persona dhe i dogjën shumë shtëpi”, dëshmoi për rastin Avdijaj.

Edhe Lirim Demiri ka dëshmuar në seancën e sotme gjyqësore. Ai ka thënë nuk ka qenë i armatosur.

“Kam qenë në vendngjarje, për atë në rroba kam dalë pozitiv, pa poseduar armë”, është përgjigjur Demiri, në pyetjen se pse në rroba testi për barot i ka dalë pozitiv, ndërkaq në trup nuk ka pasur.

Ai ka treguar edhe si është planifikuar të dukej konferenca që është dashur të mbahej për Marrëveshjen e Ohrit nga “grupi i Kumanovës”.

“Duhej të ishim si figura. Më thanë se do të vinë gazetar, përfaqësues të OSBE-së, ku do të merremi vesh për Marrëveshjen e Ohrit. Pyeta kush është kryesori, më thanë asnjëri prej neve, por në Kumanovë na presin Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj”, deklaroi Demiri.

Në pyetjen e prokurorit: Pse konferencë me uniformë? “Për t’u bë më interesant”, u përgjigj Demiri.

“Ta kisha ditur se do të ndodhë diçka e tillë. Sikur ta kisha ditur nuk do të më kishte zënë as Amerika”, tha mes tjerash Demiri.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.