Reformat në arsim të prezantuara një ditë më parë nga ministrja e Arsimit, Renata Deskovska janë mirëpritur me pozitivitet të lartë nga udhëheqësit e shkollave dhe mësimdhënësit. Turqane Grazhdani, mësuese e klasës së parë tha se reduktimi I orëve dhe njësive mësimore, zgjatja e orëve mësimore,  tërheqja e detyrave të shtëpisë dhe mundësia për shfuqizimin e Kembrixhit për klasën e parë janë reformat më rrënjësore që për herë të parë do të zbatohen në vendin tonë dhe që pritet të japin rezultate konkrete në procesin mësimor.

Ora mësimore do të jetë 40 minuta plus 15 minuta pas çdo ore pushim, jo pushim klasik por do të realizohen aktivitete jashtë-mësimorë, aktivitete të lira, aktivitetet për të cilat nxënësit kanë nevojë, aktivitete për të cilat nxënësit dëshirojnë ti realizojnë dhe të kyçen. Mirëpo do ti vihet theks I vecantë aftësive individuale të çdo nxënësi, se si zhvillohet, për çka ka nevojë ai nxënës dhe në çka duhet ne të koncentrohemi që më tutje atë nxënës ta avancojmë në mësim. Është e vërtet se ballafaqohemi me probleme shumë të mëdha hapësinorë, probleme shumë të mëdha në mjete mësimore, mirëpo vet fakti se u bë një ndryshim rrënjësor unë mendoj se edhe ato gjëra dalëngadalë, kërkojnë kohë por do të stabilizohen dhe do të vijnë ne vend të vet – tha Turqane Grazhadani, mësuese.

Edhe mësimdhënësja Suzana Kurbardoviq mirëpret reformat e paralajmëruara në arsim por duke përkujtuar institucionet përgjegjëse të mos krijojnë orar statik të mësimit. Siç thotë ajo, orari mësimor të jetë i lirë dhe të realizohet sipas kërkesave të nxënësve.

Neve jemi edhe kundër një orari statik, kemi nevojë pak për më tepër liri rreth orarit mësimor edhe pse e dimë se tani me të rejen 4 orë në javë do të ketë gjuhë shqipe, katër orë në javë do të kemi matematikë, mirëpo ne dëshirojmë që vet ta organizojmë lëndën, kur ta realizojë dhe si ta realizojë. Te merret parasysh edhe kërkesa e  fëmijës, disponimi I nxënësve, ndoshta nuk janë të disponuar për matematikë në orën e parë pse mos ta realizojë orën e tretë matematikë dhe orën e parë ta filloje me një orë nga shkathtësitë, qoftë vizatim ose muzikë, ose lënda e re” Bota rreth nesh” si lëndë e re që do të jetë tani – u shpreh Suzana Kurbardoviq, mësuese.

Megjithatë sipas mësimdhënësve  bashkë me reformat e paralajmëruar duhet të nis edhe rikonstruimi I disa shkollave të caktuara për të ofruar kushte në bazë të plan-programeve të reja mësimore si dhe mundësinë për punësimin e dy mësimdhënësve në një klasë nëse numri I nxënësve është mbi 30 nxënës. Me reformat e paralajmëruara, nxënësit e klasave të para nuk do të kenë më shumë se katër lëndë, si gjuhën amtare, gjuhën angleze, lëndën “Bota rreth nesh”, si dhe  lëndën e Artit që përfshinë edhe Muzikën dhe Edukatën fizike.