As takimit dypalëshe mes ndërmjetësit belg Vanhojte dhe partive politike nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së mediave. Burimet brenda grupeve punuese njoftojnë se VMRO-DPMNE jo vetëm që vazhdon ta kundërshtojë propozimin e LSDM-së, por refuzon ti konsiderojë këto propozim edhe si pikënisje për zhvillimin e mëtutjeshëm të bisedimeve. Kreu i opozitës Zoran Zaev akuzoi VMRO DPMNE-në për kontroll të plotë të mediumeve.

“Secili qytetar e ka të qartë se pa rregullim të medieve dhe pa pastrim të listave zgjedhore, nuk ka zgjedhje të drejta dhe demokratike. Mediat e lira dhe të pavarura janë qëllim kryesor i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë”, deklaroi Zoran Zaev, LSDM.

Nga ana tjetër ekspertët vlerësojnë se bisedimet për reforma në media, në fakt janë tentativë për kontroll të këtij sektori. Sipas Mirce Adamcevskit partitë po luftojnë për kontroll të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio Vizuale.

“Nuk besoj se dikush nga partitë do të heq dorë nga qëndrimet e tyre. Beteja që po zhvillohet nuk ka të bëjë aspak me finesa të ligjit, por për atë se kush do ta kontrollojë Agjencinë Për Shërbime Audio Vizuale. Ajo që më pengon më së shumti është se partitë po tentojnë të imponojnë lojën e tyre në vend që ti përfshijnë mediumet që ato vetë të tregojnë se çka të ndërmerret dhe si të bëhet ajo”, tha Mirce Adamcevski, ish drejtor i Këshillit Radio Difuziv.

Propozimi i ndërmjetësit Vanhojte për mediat, vazhdimisht refuzohet nga VMRO-ja, e cila propozon kopjimin dhe zbatimin e ndonjë ligji të vendeve evropiane. Por Adamcevski vlerëson se kjo ide është e pamundur të realizohet. Çështja e medieve duhet të zgjidhet deri më 19 shkurt, kur edhe pritet që ndërkombëtarët të japin vlerësimin nëse vendi është i gatshëm për zgjedhjet e 24 prillit.