Rejtingu i presidentit të ri amerikan Donald Tramp vazhdon të zvogëlohet, ndërsa Administrata e re  kurrsesi nuk arrin t’i fitojë simpatitë e amerikanëve, gati një muaj nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë, tregon hulumtimi i Galup.

Vetëm 40 për qind e amerikanëve pajtohen dhe e përkrahin politikën që e promovon dhe e zbaton presidenti Tramp, ndërsa 55 e të anketuarve janë kundër.

Bëhet fjalë për dallim negativ prej 15 për qind, që sipas Galup është më e lartë pasi Tramp edhe formalisht e ndërmori funksionin e presidentit të SHBA-së.

Rejtingu i presidentit aktual është larg nën nivelin që në tridhjetë ditët e para të mandatit,  e kanë pasur tre paraardhës të tij, Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama.

Të gjithë ata tre në mandatet e para të tyre në atë periudhë në anketat tradicionale të Galupit, kanë pasur mbi 50 për qind përkrahje nga amerikanët.

Mediat në SHBA vërejnë se në dhjetë ditët e fundit,  rejtingu i Trampit është zvogëluar për tre për qind të reja, në krahasim me llogaritjen paraprake, që e ka bërë kompania televizive Si-En-En.

Të dhënat e anketës së Galupit vijnë në kohën kur Tramp dhe Administrata e tij vazhdojnë të luftojnë me gjyqtarët, të cilët nuk e përkrahin dekretin e tij antimigrues dhe me mediat të cilat i kritikojnë.

Reagimi i fundit negativ në opinionin vendor ishte pasi presidenti i SHBA-së u ndal në mbrojtje të vajzës së tij Ivanka, duke i dënuar ashpër shtëpitë e mallrave që vendosën t’i anulojnë porositë nga linja e saj e modës.

Në një pjesë të mediave u paraqitën kritika se Ivanka Tramp mundohet ta shfrytëzojë babain e saj president që ta nxitë biznesin e saj.

Në mbrojtje të vajzës u pajtua edhe një këshilltare e presidentit, e cila më vonë kërkoi falje për “gabimin” e bërë.