Reshjet e borës që kanë kapluar Maqedoninë nuk do të ndalojnë as në ditët në vazhdim. Përpos reshjeve të borës, meteorologët parashikojnë edhe ulje të temperaturave, madje deri në minus 15 gradë Celsius. Si pasojë e reshjeve të borës, është vështirësuar qarkullimi nëpër rrugët e Maqedonisë. Komunikacioni po zhvillohet në kushte të lagështa, me mbetje të dëborës, me ndalime dhe kufizime për automjetet e rënda të transportit në qafat malore dhe në një pjesë të rrugëve. Për shkak të paraqitjes së mjegullës, shikimi është zvogëluar nga 15 deri në 20 metra në Kodrën e Diellit.

LENÇE RIZOVA, SINOPTIKE

“Duhet të përmendim se temperaturat e mëngjesit do të jenë shumë të ulët këto ditë. Në shumë vende, posaçërisht të enjten, temperaturat e mëngjesit do të zbresin deri në minus 10, ndërsa në disa vende edhe minus 15”

Po ashtu për shkak të borës në Shkup, shumë linja të Transportit Publik janë shkurtuar. Meteorologët parashikojnë rritje të temperaturave gjatë vikendit.

LENÇE RIZOVA, SINOPTIKE

“Përmirësim më të dukshëm të kohës do të kemi ditët e vikendit kur presim reshje të shiut, borë vetëm në vendet malore. Për krahasim, temperaturat nesër do të jenë në interval prej minus tre deri 3 gradë, ndërsa ditët e vikendit nga 4 deri në 11 gradë”

Bora tani për tani nuk shkakton probleme në qarkullimin ajror dhe në transportin hekurudhor. Nga qyteti i Shkupit kanë njoftuar se shërbimet e dimrit në terren kanë intervenuar me 19 makina të ndryshme dhe kanë hedhur 455 tonë kripë.