Të gjithë sytë dhe vëmendja e botës ishin përqendruar të dielën në referendumin popullor për ndryshime kushtetuese në Turqi, ku përfshihej edhe kalimi në sistemin qeverisës presidencial.

Referendumi në Turqi la pas të gjitha lajmet e tjera duke bërë që organet e huaja mediatike të ndjekin votimin çast pas çasti.

Shumë institucione transmetuese përcollën me përkthim të njëkohshëm fjalimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Televizioni amerikan, “CNN”, votimin plebishitar në Turqi e dha si lajm të parë.

CNN-i transmetoi drejtpërsëdrejti konferencën për shtyp të kreut të Shtetit të Turqisë dhe fjalimin e tij drejtuar popullin duke e njoftuar lajmin nën titullin “Erdogani shpalli fitoren”.

Mes të tjerash, CNN-i vuri në pah se Azerbajxhani, Katari, Pakistani, Maqedonia, Arabia Saudite dhe shumë vende të tjera nuk kanë vonuar aspak për të uruar Presidentin Erdogan.

Lajmi kryesor i rrjetit britanik të transmetimeve, “BBC”, ishte gjithashtu referendumi popullor në Turqi.

“Turqit mbështetën thirrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan për kompetenca të zgjeruara presidenciale. Përkrahësit e votës ‘Po’ thonë se tranzicioni në sistemin presidencial do të modernizojë edhe më tepër Republikën e  Turqisë”, shkruan BBC-ja, e cila procesin zgjedhor e ndoqi përmes lidhjeve direkte nga Ankaraja dhe Stambolli.

Pas shpalljes së rezultateve jozyrtare, BBC-ja u kushtoi një vend të gjerë edhe fjalimeve të Presidentit Erdogan e Kryeministrit Yildirim.

Ndërsa gazeta amerikane, “The New York Times”, u fokusua përgjithësisht mbi politikën, që lideri turk mund të ndjekë në vijim lidhur me Evropën.

“Analistët janë ndarë në dy kampe për sa i takon politikave, që Erdogani do të zbatojë këtej e tutje. Një pjesë e tyre mbron idenë që Presidenti i Republikës së Turqisë, fitues i referendumit popullor, do të zbusë retorikën kundër Evropës; kurse disa të tjerë janë të mendimit se tonet e tij do të ashpërsohen edhe më shumë”, komenton “The New York Times”.

E përditshmja britanike, “The Guardian”, vlerësoi se fjalimi i Erdoganit pas fitores plebishitare ishte me tone të moderuara dhe me një gjuhë të butë.

Gazeta franceze, “Le Monde”, i përcolli rezultatet e votimit popullor në Turqi si lajm kryesor përmes faqes së saj në internet dhe njoftoi se fronti i Presidentit Erdogan kishte shpallur fitoren.

Një tjetër organ mediatik, i cili vendosi në krye të faqes ueb referendumin kushtetues në Turqi, ishte gjithashtu transmetuesi publik gjerman, “DeutscheWelle”.

Ditorja izraelite, “Haaretz”, bëri të ditur se Presidenti Erdogan kishte shpallur fitoren në plebishitin e të dielës.

“Mbështetësit e votës ‘Po’ shpresojnë që sistemi presidencial do të sjellë stabilitet dhe mirëqenie më të lartë pas tentativës për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste guleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY), si dhe kundër sulmeve terroriste të kohëve të fundit në Turqi”, shkruan gazeta me seli në Tel-Aviv.

Agjencia ruse e lajmeve, “Sputnik”, komentoi se rezultatet e votimit plebishitar në Turqi janë lajmëtare të një periudhe të re.

Ndërsa televizioni shtetëror rus, “Russia Today”, i kushtoi vend thirrjes së Presidentit Erdogan drejtuar vendeve të tjera për të respektuar rezultatet e referendumit kushtetues në Turqi. /TRT/