Me matjen e koncentrimeve dyfish më të lartë nga e lejuara të grimcave PM10, Tetova këtyre ditëve ishte qyteti më i ndotur në Maqedoni. Grimcat kancerogjene sërish janë në koncentrime të larta ashtu si në matjet e muajve të dimrit. Në mëngjesin e ditës së shtunë kur ishte ndezur deponia e egër në hyrje të Tetovës, në ajrin që kanë thithur tetovarët janë matur për dy herë më shumë grimca pluhuri PM10 nga koncentrimet maksimalisht të lejuara.

Të dielën rreth orës 3.00 pas mesnate grimcat filluan që të grumbulloheshin në ajër, ndërsa kulmin e kanë arritur në orën 7.00 të mëngjesit kur janë matur 395 mikrogramë në një metër kub ajër, ose shtatë herë më shumë nga e lejuara që është e sigurtë për shëndetin. Ashtu siç tregojnë matjet e ministrisë së ambientit jetësor në fillim të kësaj jave në ajër shënohet një trend i rënies së koncentrimeve të grimcave të pluhurit.

Kjo situatë e ndotjes së ajrit vjen pas një periudhë relativisht të ajrit të pastërt këtë vit. Këtë vit deri më tash janë regjistruar 69 ditë me ajër të ndotur në krahasim nga viti i kaluar duke përfshirë edhe muajin gusht ku janë regjistruar 201 ditë me ajër të ndotur. Ambientalistët lerësojnë se pasojat nga deponia do të jenë afatgjate në shëndetin e qytetarëve të Tetovës. “Një deponi e tillë është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve sidomos fëmijëve.Kjo do të ketë efekt negativ në planin afatgjatë sa i përket shëndetit edhe pse më të prekur janë fëmijët megjithatë nuk përjashtohen edhe kategoritë tjera sidomos pleqtë me sëmundje kronike.Një deponi e tillë nuk e ka vendin në atë pjesë dhe e njejta nuk e ka patur vendin aty afër qytetit.Djegia e deponisë ka rritur grimcat e dëmshme mirëpo Tetova fatkeqësisht është një ndër qytetet më të ndotura në Evropë dhe në këtë ndotje kanë ndikuar shumë faktorë që dihen”, thotë Murtezan Ismaili profesor universitar.

Në ndërkohë në repartin e ndihmës së shpejtë në Tetovë  thonë se gjatë uikendit kanë pranuar  katër pacient gjegjësisht zjarrikës por që kanë kaluar pa pasoja të mëdha. Megjithatë, sipas mjekëve ndotja e ajrit ndikon shumë në shëndetin e qytetarëve.

“Gjatë rastit që ndodhi me deponinë, kishim katër persona që kërkuan ndihmë gjegjësisht puntorë të njësisë së zjarrfikësve të cilët për shkak të tymit dhe aktivitetit fizik kanë patur komplikime shëndetësore por jo me përmasa të mëdha.Ata nuk kanë qenë të sëmurë kronik dhe nuk është dashur intervenim ndërsa raste të tjera nuk kemi patur.Megjithatë, më të rrezikuar janë të sëmurët kronik, pleqtë dhe fëmijët të cilët jetojnë afër vendit ku ka ndodhur ndotja më e madhe për shkak të koncetrimit të madh të grimcave të cilët janë të dëmshme për sistemin e frymëmarrjes”, tha Gëzim Nuredini, kryeshef i Repartit të Ndihmës së Parë në Tetovë.

Përndryshe, edhe dje në orët e vona të pasditës ka patur protesta nga iniciativa e qytetarëve kundër deponisë të cilët sërish kanë hedhur mbeturina para objektit të komunës së Tetovës. Ata dy ditë radhazi protesojnë kundër deponisë së egër në dalje të Tetovës ku sipas tyre e njejta është e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. /Tv Koha/