Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të diskutoj sot për lehtësimin e orës policore. Në seancën e sotme qeveritare, e cila do të fillojë nga ora 15:00, do të diskutohet propozimi që ora policore të fillojë në orën 17:00, si dhe të ketë lehtësim të orarit për lëvizjen e të moshuarve, njofton Portalb.mk

“Kërkesa dhe propozimi konkret për shkurtimin e orës policore erdhën nga Komisioni për sëmundje infektive, kurse të njëjtat janë prezantuar para Shtabit kryesor të krizës. Vendimi pritet të miratohet në seancën e Qeverisë që do të mbahet sot. Të gjithë anëtarët e Shtabit janë pro shkurtimit të orës policore. Për çdo vendim opinioni do të jetë i informuar”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të martën në konferencën për media, theksoi se ekziston plan për lehtësimin e masave restriktive, gjegjësisht orës policore. Sipas tij, planifikohet që ora policore gjatë ditëve të punës të fillojë prej orës 19:00 deri në ora 05:00. Të moshuarit mbi 65-vjeç në vend të orarit të deritanishëm prej në 10:00 deri në ora 12:00, të mund të lëvizin prej orës 08:00 deri në orën 12:00. Gjatë fundjavës, planifikohet që ora policore të fillojë të shtunën prej orës 13:00 dhe të zgjatë deri të hënën në ora 05:00.

Pas paraqitjes së virusit korona në Maqedoninë e Veriut, fillimisht ora policore ka filluar të zbatohet prej 21:00 deri në 05:00 dhe e njëjta ka zgjatur disa ditë dhe më pas u ndryshua me kohëzgjatjen e orës policore prej 16:00 deri në 05:00. Njëkohësisht nga Qeveria disa herë informuan se lehtësime të masave restriktive priten prej 1 majit.