Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e çmimit të konsumit për shumicën e shpenzimeve në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar, përveç se në veshmbathje, transport dhe komunikim, transmeton Portalb.mk.

Në shkurt të vitit 2021, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, rritje është regjistruar në ushqime dhe pije joalkoolik (2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotik (7.8%), ujë, energji elektrike, gaz e karburant (4.4%), mbrojtje shëndetësore (2.7%), rekreacion dhe kulturë (1%), restorante dhe hotele (5.2%) dhe mallra e shërbime tjera (1.4%).

“Indeksi i kostos së jetesës në Shkurt 2021, krahasuar me shkurtin 2020, është vërejtur rritje me 1.9%, dhe tek indeksi i çmimeve me pakicë është vërejtur rritje me 1.8%.”, raportojnë nga Enti shtetëror i statistikave.

Te buka dhe drithërat kemi rritje të çmimit për 1.9%, derisa duhani për 10.1%. Rritje të çmimit është regjistruar edhe në energjinë elektrike për 7.4% në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me muajin janar nuk është regjistruar rritje.

“Ulje në indekset e kostos së jetesës në shkurt 2021, krahasuar me muajin paraardhës, është shënuar në ujë mineral, pije të gazuara, lëngje frutash dhe perimesh, pije alkoolike me 0.7%, djathë dhe gjizë me 0.2%”, raportojnë nga Enti shtetëror i statistikave.