Qytetarë të Ulqinit, por edhe të gjithë bregdetit malazez, janë të zemëruar për shkak të paralajmërimit se konsorciumi italo-rus “Eni-Novatek”, më 25 mars, do të nisë fillimisht me shpimin e puseve hulumtuese për gjetjen e naftës nën detin e Malit të Zi.

Ata kanë frikë nga rrezikimi i mjedisit jetësor dhe i turizmit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, gazetari dhe aktivisti nga Ulqini, Mustafa Canka.

Rrëfimi për hulumtimin e naftës dhe gazit nën detin e Malit të Zi, është në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi që nga qeveria malazeze është paralajmëruar se më 25 mars, do të nisë shpimi i pusit të parë për hulumtim, i cili gjendet rreth 28 kilometra nga bregu i detit, në jug të Malit të Zi, në ujërat detare ndërmjet Tivarit dhe Ulqinit.

Deri në fund të vitit 2021, do të bëhet e ditur se a ekzistojnë në këtë lokacion depozita të hidrokarbureve.

Pusi i dytë hulumtues do të jetë më afër bregut të detit, rreth 18 kilometra larg nga aty. Do të jetë më i cekët dhe jo më i thellë se një kilometër e gjysmë.

Deri më tani, Mali i Zi i ka përmbyllur dy kontrata për hulumtimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit.

Kontrata e parë është nënshkruar në vitin 2016, me kompaninë italo-ruse “Eni dhe Novatek”, për katër blloqe hulumtimi, për një periudhë prej shtatë vjetësh, ndërkaq kontrata tjetër është përmbyllur një vit më vonë me kompaninë greke “Energean”, për dy blloqe hulumtimi, me të njëjtin afat për hulumtim.

Lëvizja qytetare “Ura” (e Dritan Abazoviqit) do të fillojë nismën për shpalljen e referendumit për eksploatimin e naftës dhe gazit në Mal të Zi, ka njoftuar deputeti dhe nënkryetari i Iniciativës qytetare “Ura”, Millosh Konatar.

Qeveria premton se do të jetë e kujdesshme edhe për shkak të Kroacisë

Nga Ministria e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, sigurojnë se do t’i mbikëqyrin të gjithë parametrat mjedisorë, që lidhen me gjendjen e ekosistemit detar, si dhe që pas shenjës së parë të prishjes së tij, do të veprojnë.

“Jo vetëm për shkak të ruajtjes së bregdetit malazez, por edhe për shkak të Kroacisë fqinje. Çdo rrjedhje eventuale e naftës, e gazit ose çfarëdo qoftë, për rreth 20 kilometra nga bregdeti ynë, mund të ndikojë në Kroacinë fqinje, për shkak të rrymave të detit që shkojnë në drejtim të saj”, ka thënë për REL, sekretari i Ministrisë së Ekologjisë, Danilo Mërdak.

Ndonëse në qeveri sigurojnë që ruajtja e mjedisit jetësor është primare, ekologët dhe bashkësia lokale e kundërshtojnë ashpër këtë ide.