Qytetarët e vendit tonë dëshirojnë progres, anëtarësim në NATO dhe BE, lëvizje të lirë, ekonomi të fuqishme, stabilitet, porositi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nga tubimi i sontëm në Dibër në të cilin janë prezentuar kandidati për kryetar komune dhe lista e këshilltarëve.

Ai ju bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin, Ruzhdi Latën pasi që angazhimi i tij është, tha Dibra evropiane. Këtë e ka dëshmuar edhe gjatë katër viteve të kaluara.

Lata, i cili për të dytën herë me radhë e kërkon besimin, u përqendrua në projektet e premtuara dhe të realizuar.

“Gjithçka që premtuan para katër vitesh, realizuam edhe më shumë se aq. Për gjithçka që arritëm me angazhim maksimal, bashkëpunim, mirëkuptim, me fytyrë të pastër, ju drejtohem dhe e kërkoj votën tuaj për edhe një mandat në të cilin në tërësi do t’i realizojmë idetë tona me të cilat Dibra do të bëhet qytet evropian”, theksoi Lata.

Ai paralajmëroi më shumë projekte, më shumë infrastrukturore, ndërtimin e kopshtit të ri, rezervuarit për furnizimin e qytetit, rregullimin e deponisë së qytetit, rikonstruimin e sistemit për ujitje.

Para të pranishmëve u promovua edhe lista e kandidatëve për këshillin komunal, bartës i së cilës është Fuat Spahiu, sportist i njohur dibran.

“Është nder të jesh në krye të listët në të cilën ndodhen njerëz të suksesshëm dhe me vlerë. Do ta arsyetojmë besimin dhe së bashku me të gjithë këshilltarët, pa dallim përkatësisë së tyre partiake dhe përkatësisë tjetër do të punojmë për të mirën e komunës së Dibrës dhe banorëve të saj”, tha Spahiu.