Miniera SASA vendosi t’i rrisë rrogat e të punësuarve për 5.500 denarë, kumtoi sot drejtori i përgjithshëm, Nil Stivenson.

Siç tha në konferencën për media në selinë e LSM-së, krahas rritjes prej 5.500 denarëve, në janar të vitit 2019 të punësuarit do të marrin edhe një rritje prej pesë për qind dhe pesë për qind në janar të vitit 2020, me çka prej tani deri më 1 janar të vitit 2020 rroga do t’u rritet për 30 për qind.

“Rritja prej 5.500 denarëve është ofertë shumë e mirë me të cilën të punësuarit tanë do të merrnin rrogë më të madhe prej 40.000 denarëve në muaj. Por, negociatorët vlerësojnë se nuk është e mjaftueshme dhe kanë kërkesa joreale për rritje të rrogës prej 270 për qind, që është rrogë më e madhe se 2.000 euro në muaj. Shumë të tillë nuk mund të paguajmë sepse do të ndikojë mbi efikasitetin tonë, dhe sipas gjitha gjasave edhe ndaj të ardhmes së kompanisë”, theksoi Stivenson.

Sindikata multietnike e arsimit, e cila negocioi për rritjen e rrogave, nuk e hedh poshtë ofertën e SASA-s, por do ta rishikojë në nivel sa më të lartë, pas çka do të vendosë se a do ta pranojë.

“Jemi të kënaqur nga negociatat. Kjo për herë të parë ndodh që në Maqedoni të rritet rroga për 5.500 denarë. Por, kompania është shumë e mirë me ekip të shkëlqyeshëm të udhëheqësisë, për çka edhe kërkesat tona janë të vëllimit të tillë”, tha kryetari i MESO-s, Dragi Jovanovski. /koha.mk/